Në vizitën tij të fundit shtetërore Presidentit të Republikës, Bujar Nishani është nderuar me titull “Qytetar nderi i Prizrenit’ nga Komuna e këti qyteti. Cermonia u mbajt në kompleksin historik të Lidhjes së Prizrenit në mesin e të pranishmëve të shumtë, ishin Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, drejtuesit vendorë të qytetit të Prizrenit si dhe përfaqësues të bashkësive fetare dhe qytetarë.
Kreu i Komunës Ramadan Muja u shpreh se: “Prizreni është krenar për shpalljen ‘Qytetar Nderi’ të Presidentit të Republikës të Shqipërisë.” Kreu i Shtetit shqiptar, pas marrjes në dorëzim të titullit vuri në dukje faktin se kjo ishte vizita e tij e fundit si President, në Kosovë, për të cilën tha se e ka përjetuar emocionalisht.
“Nuk ka emocion dhe vlerë më të madhe njerëzore kur të nderojnë qytetarët dhe populli. Dhe prandaj sot ndihem i nderuar që mes jush dhe qytetarëve të Prizrenit ta marr dhe ta vlerësoj e të përulem para këtij nderimi që po më bëni. Isha shumë i nderuar që ta kryej këtë vizitë shtetërore të fundit pikërisht këtu, aty edhe ku e nisa në fillim të mandatit tim presidencial, në Kosovë.
Përpos qëllimit që kisha për të përcjellë gjatë kësaj vizite nderimin, besimin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë si dhe për të gjithë autoritetet dhe institucionet e shtetit, të kultit e besimeve fetare, të shoqërisë civile te secili qytetar i nderuar i këtij shteti, ndoshta i ri në kontekstin juridik, por mijëravjeçar për sa i përket kulturës dhe traditave.” Ai nuk harroi të falenderonte edhe qytetarët e Prizrentit dhe se do t’u ishtë përjetë mirënjohes për këtë nderim . NIishani u shpreh i bindur se qytetarët e Prizrenit do të din ta përcjellin ndër brezat e rinj vlerën tonë kombëtare Besën .
“Nga Prizreni, vendi i bashkimit dhe harmonisë, i respektit të bashkëjetesës, civilizimit, dhe kulturës, dua të theksoj se do t’u jem përjetë mirënjohës për këtë nderim që m’u bë sot këtu. Nga Prizreni i betejave për ekzistencë, i përpjekjeve për bashkim dhe lidhje, i kulturës, i gjuhës sonë të bukur shqipe, nga Prizreni i mikpritjes dhe sot i shkollës e i dijes në çdo lagje e shtëpi, prandaj unë nuk e di nëse e meritoj plotësisht këtë nderim kaq të madh që më bëhet, por për një gjë ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët e Prizrenit se do të besoj po aq fort sa kam besuar gjithë jetën time te vlerat e lirisë. Jam i bindur se qytetarët e Prizrenit do ta përcjellin këtë te brezat e rinj, te ata që vijnë: vlerën tonë kryesore, Besën. Zoti e nderoftë dhe e bekoftë popullin e Prizrenit, e të Kosovës dhe popullin shqiptar!” tha Presidenti. (S.SH/SHUPLAKA)