Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”, ka theksuar se kriza politke në vend është një “stress-test” i drejtësisë, ku prova e madhe që duhet të kalojmë të gjithë është pikërisht kjo që shkakton rezistencë.
Sipas Bushatit, synimi i dyshes Berisha-Basha është pengimi me çdo mjet i zbatimit të reformës në drejtësi, rrëzimi i Qeverisë dhe shtyrja e zgjedhjeve në një afat të paparashikuar, duke shkallmuar Kushtetutën, praktikat e gjithëpranuara demokratike e mbi të gjitha stabilitetin demokratik të vendit.
Përsa i përket situatës në Kosovë Bushati thekson se ngërçi i krijuar për shkak të demarkacionit dhe pasojave të tij, por edhe vështirësive të koalicionit të madh, ka çuar natyrshëm në nevojën e një konsultimi popullor.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë përsa i përket situatës në Maqedoni shprehet se qëndrimi i ngurtë dhe agresiviteti i skajshëm nga aktorë të rëndësishëm politikë e ka çuar vendin buzë të greminës, ku aktet e dhunës primitive në Kuvend ishin shokuese, të papranueshme. (J.V/Shuplaka)