Pak orë pas takimit të zëvendës ndihmës sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee me kreun e opozitës Lulzim Basha, zbulohen detajet mbi diskutimin e tyre.
Sipas Televizionit “Top Channel”, Yee i ka lënë opozitës 24 orë kohë për të pranuar paketën e propozuar prej tyre, një paketë që në fokus ka paketën e mëparshme të McAllister.
Kështu në vend të presidentit që tashmë është zgjedhur, paketa ofron postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministrave.
Mirëpo opozita duket më e vendosur se kurrë për qeveri teknike dhe numërim elektronik të votave, ashtu sikurse Rama te mbajtja e zgjedhjeve në 18 qershor dhe asnjë ditë më vonë.
Me vizitën e Yee, duket se SHBA po bën të pamundurën për të bërë të mundur zgjidhjen e ngërçit politik, por ende nuk dihet se sa ia kanë dalë mbanë pasi reagimi i Bashës pas takimit me Yee të çon të mendosh diçka tjetër.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Basha shprehet se Rama kërkon që të bëjë zgjedhje pa opozitën dhe ta kthejë vendin në monizëm.
“Ndërsa për Edi Ramën pushteti ka vetëm një qëllim, vetëm një axhendë, atë të pasurimit dhe të kontrollit të plotë të vendit nga ai dhe banda e korruptuar kriminale në qeverisje. Për Edi Ramën njerëzit janë thjesht numra, gurë shahu në lojën e tij për pushtet.
Prandaj, ai po projekton një pushtet monist, që të sundojë i vetëm, i pashqetësuar nga populli dhe nga opozita.
Bashkimi ynë është e vetmja pengesë ndaj këtij plani ogurzi. Ne nuk do lejojmë kurrë një regjim monist në Shqipëri. Ne nuk do lejojmë kurrë zgjedhje të vendosura nga droga dhe krimi. Ose zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk do të ketë”, shkruan Basha.
Këtë pasdite, zëvendës ndihmës sekretari Yee takoi edhe deputetet e PD-së Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli si edhe me kryeparlamentarin Ilir Meta. (D.D/Shuplaka)