Zbulohen prapaskenat e negociatave mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e ngërçit politik.
Pasi zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee bëri edhe një përpjekje për të sjellë një bashkëpunim mes palëve për të arritur në një marrëveshje, kryetari i PD-së Lulzim Basha e pranoi paketën McAllister, të cilën e refuzoi kur u propozua herën e parë.
Por kryeministri Edi Rama nuk ra dakord për shkak të pikës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Sipas Lapsi.al, Yee kishte përpiluar një listë me pika ku palët mund të gjenin marrëveshje. Kjo do të konsiderohej edhe përgjigjja e tij për këtë paketë.
Pas takimit me aleatët Basha i ka dorëzuar përgjigjen e tij Ramës, duke i lënë afat deri në orën 16.00 të kthente një përgjigje.
Por Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi të shtyrjes së datës së zgjedhjeve duke mbështetur vetëm 18 qershorin me arsyetimin se kështu e parashikon Kushtetuta. Sipas Lapsit, Rama ka ofruar vetëm 2 ministra pa portofol në qeveri ndërsa paketa McAllister ofronte katër.
PAKETA MCALLISTER:
1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
4. Kalimi i kreut të KQZsë tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE-së, pjesëmarrje të OJQve në të gjithë këtë proces. (D.D/Shuplaka)