Më pak se një muaj e ndan Kosovën nga zgjedhjet e 11 qershorit pas votimit të mocionit të besimit që rrëzoi qeverinë e drejtuar nga Mustafa. E teksa data po afrohet, Presidenti Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për dekriminalizimin e skenës politike, shqetësim i mbështetur edhe nga ambasadori Delawie.
“Është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të kenë parasysh kë përfshijnë në listat e tyre të kandidatëve dhe të zgjedhin njerëz që mund të frymëzojnë rininë e Kosovës dhe që vënë në rend të parë interesat më të mira të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, u shpreh Delawie pak ditë më parë.
Por mediat vendase në Kosovë shkruajnë se pavarësisht kësaj, nuk ka një ligj që ua ndalon personave me precedentë penalë të kandidojnë për deputetë.
Flitet se një numër i konsiderueshëm deputetësh, 1/5 e tyre, rreth 25 deputetë, rezultojnë të jenë persona me aktakuza ose nën hetim. Ata janë të dënuar për vepra të ndryshme penale.
(XH.A/SHUPLAKA)