Marrëveshja mes Ramës dhe Bashës, për zgjedhjet e 25 Qershorit duket se ka ngjallur reagime të shumta pro dhe kundër në kampet e analistëve. Dikush e cilëson fitore të Ramës, e një tjetër mundësinë e fundit të Bashës.
Për Fatos Lubonjën një nga mbështetësit e idesë së ‘’Republikës së Re’’, kjo nuk është ajo që pritej nga Basha dhe PD.
Nga ana tjetër Andi Bushati mendon se Basha e ka përdhosur çadrën dhe me këtë marrëveshje ai legjitimon fitoren e Ramës në 18 Qershor.
Po nga ana tjetër ajo që mbetet në pikëpyetje është dhe roli që do të kenë tashmë partitë e vogla, të cilat duket se kanë dalë tërësisht jashtë loje nga marrëveshja e të mëdhenjve.
Për Dritan Hilën tashmë është pikërisht rradha e gongut për Ilir Metën, i cili u la në hije në këto negociatat e dy ditëve të fundit.
Fatos Lubonja:
Gjithmonë kam shprehur dilema a mundet PD të bëjë lëvizjen e re. Kur flet Berisha për revolucion çështja është ndryshe. Dhe Berisha ka folur për revolucion tërë kohës. U ngjall shpresa se mund të ndizej një dinamikë brenda PD për të qenë pak më ndryshe opozita. Por ja që këto takime disaorëshe nuk japin shije të mirë. Basha demaskonte më herët këto takime të Ramës dhe Metës më parë.
Mendoj se diçka ndryshe vinte nga çadra. Për 3 muaj aty u ftuan persona të profesioneve të ndryshme, edhe intelektualë nga jashtë partisë. E quaj lëvizje idenë që lideri i një partie konsultohet me persona të ndryshëm. E jo kur mbyllet me Ramën në zyrë, pasi s’ka lënë gjë pa thënë për të. Sigurisht situata u imponua nga të huajt, e janë bërë kalkulime. Po nëse do të bësh republikë të re, siç thonë, atëherë kjo ka dështuar. Dhe kjo të lë atë zhgënjimin. Patjetër që do të shohim edhe rezultatin e zgjedhjeve, por jemi peng i kastës së vjetër, që tentoi të bëjë një furtunë në një gotë ujë, që me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve u qetësua. Dhe kjo është zhgënjyese, se nuk mund të presim ne që klasa jonë politike të sillet si fëmijë, dhe pastaj vijnë ca ndërkombëtarë dhe u thonë qetësohuni.
Kjo lëvize e Bashës me çadrën u bë më shumë si përpjekje për të forcuar lidershipin e vet. Deri më tani shoh vetëm Blushin dhe Bojaxhiun më të angazhuar, por nuk i shoh tamam si lëvizje, por më duken si të zbehta. Duken më shumë si NGO akoma. Duhet t’i shohim në zgjedhje. Do të doja t’i shihja më të angazhuar në këto zgjedhje. LSI që ka qenë dikur, edhe ajo është pak më ndryshe, pasi ka interesin e klientelës së vet, dhe përpiqet ta ruajë atë. E vetmja gjë që shohim është ikja e shqiptarëve nga vendi, kjo me sa duket është shprehja e vetme e tyre.
Shpëtim Nazarko:
Unë jam dakord që partitë e vogla do paguajnë për shkak të sistemit, por LSI është më e dëmtuara nga partitë e vogla, sepse unë nuk e quaj parti të madhe. Është partia më e dëmtuar sepse kjo marrëveshje karikon në maksimum PD-në që të ruaj votat e veta, kurse në një rast tjetër mospjesëmarrja e PD-së mund të çonte në hipotezën e Petrit Vasilit për tu bërë forcë e parë. Besoj që edhe LSI do dëmtohet këtë herë sepse po synohet sistem dypartiak.
Dritan Hila:
Nëse ka ndonjë të humbur nga zhvillimet e sotme, ky është Ilir Meta. Njeriu i cili investoi më shumë për këto ndryshime, papritmas shikon se partia e tij trajtohet si çdo partiçkë e zakonshme; nuk bëhet palë e diskutimeve të ngushta dhe është i mbyllur në burgun e artë të presidencës me pak mundësi lëvizjeje. Skenari më i keq në llogaritë e LSI u realizua.
Ndërkohë në Tiranë po ravijëzohet ai që përflitej nga viti 2009: koalicioni i madh. Ka qenë përfolur pas aleancës së Berishës me Metën dhe më vonë të Ramës me Metën. E përmendnin socialistët dhe demokratët si një mundësi që e kishin humbur, sa herë që mendonin se aleati i vogël pa ndihmën e të cilit nuk qeverisnin dot, i kushtëzonte në vendimarje.
Në Shqipëri besnikëria e të vegjëlve konceptohet nga të mëdhenjtë si një detyrë ndërsa tradhëtimi i tyre si argument negociatash lehtësisht i shitshëm.
Koalicioni i madh në mënyrën si po trupëzohet sot, ka pamjen e një martese të detyruar dhe me afat të shkurtër, por i ka të gjitha atributet e një qeverisje të madhe në të ardhmen dhe ka kryer një mision të parë i cili është ai i thyerjes së tabusë. Pas kësaj, për çfarëdolloj arsye, një marrëveshje e dytë PD-PS mund të jetë më e kapërdishme për publikun.
Ndërkohë Ilir Meta nuk ngjan i lumtur nga kjo rrjedhë. Situata ka një ngjashmëri me vitin 2009, ku në disa drejtime është më mirë dhe në të tjera më keq.
Është më mirë, pasi partia është më e konsoliduar pas 13 vjetësh jete dhe ka një elektorat të stabilizuar. Njerëzit që ka përballë, i ka njohur si kundërshtarë dhe si aleatë, ndaj kanë më pak të panjohura.
Në psiqikën e elektoratit është ngulitur ideja se pa LSI është e vështirë të qeveriset.
Por ka edhe shumë pikë të dobëta. Në 8 vjet bashkëqeverisje, aleatët e tij më të mëdhenj janë kujdesur që faturën e problemeve t’ia dërgojnë LSI.
Demonizimi i LSI mund të përdoret si argument për të riafruar edhe një herë demokratë dhe socialistë të pakënaqur nga përfshirja e tyre në tortën e pushtetit në vitet që shkuan.
Tetë vjet në qeverisje, kanë ulur agresivitetin e anëtarëve të LSI të cilët dikur kanë qenë nga më të motivuarit.
Individë nga rradhët e PS me të cilët Ilir Meta ka pasur histori të përbashkët, u spastruan së fundmi nga Rama, dhe ata që shikon në kampin lejla janë ose të panjohur ose ish armiq të tij, por jo interlokutorë.
Por ajo që është më problematikja për vetë Ilir Metën, ka të bëjë me lidershipin e ri të LSI. Qoftë Vasili qoftë Kryemadhi nuk janë persona rishtarë në politikë. Secili prej tyre ka një karierë po aq sa Meta. Por në një vend ku roli i individit, dhe qasja personale e elektoratit ndaj tij është thelbësore, ndërrimi i kuajve të karrocës pikërisht në momentin që do të shkrepi pistoleta e garës, përbën problem. Pasi nuk është testuar asnjëherë sesa kuaj fuqi ka secili prej tyre dhe a ja dalin dot të dy bashkë të zëvendësojnë Ilir Metën. Në politikë jo gjithmonë një plus një, është baraz me dy.
Vizita e Ilir Metës në zyrën e Sali Berishës ditën që Basha dhe Rama po takoheshin kokë më kokë, i ka të gjitha arsyet dhe pyetjet, të cilat dy politikanë me përvojë janë në gjendje ti bëjnë dhe japin përgjigje pa qenë nevoja të flasin. Por Ilir Meta një gjë e ka kuptuar: se ka mbaruar koha e qetësisë dhe dashurisë. Jemi në momentin kur duhet të nxjerrë jashtë tigrin. Përndryshe, viktima e parë e çfarëdolloj makinacioni, do të jetë ai. Në Shqipëri nuk vlejnë aspak idealet apo fjala e dhënë por vetëm realpolitika. Jemi në vendin ku humbësit nuk i afrohet as mëshira, përkundrazi përbuzet. Ai e di më mirë se kushdo. Nëse e ka harruar, bën mirë ta rikujtojë. Gongu ka rënë.
Andi Bushati:
Rreth Lulzim Bashës po tubohen me shpejtësi dy grupime të ndryshme nga njëri- tjetri, që kanë një qëllim të përbashkët: të justifikojnë marëveshjen e turpshme për t’u futur në një palë zgjedhje farsë.
Në grupin e parë hyjnë sa optimistët e pandreqshëm, po aq edhe servilët e pashmangshëm. Në thelb ata mundohen të arsyetojnë se me gati 90 ditë në çadër, PD-ja arriti atë që asnjë opozitë nuk i’a ka dalë ta merrte kurrë në 27 vjet. Ata thonë se e detyruan Ramën të tërhiqet dhe të pranojë gjëra që askush nuk i kishte menduar tre muaj më parë. Ata përmendin minisrat që u larguan dhe ata që do të lënë postet duke argumentuar se kryeministrit i’u rrëzua i gjithë ekipi fitues i 2013.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë ata që, ndryshe nga të parët, përpiqen të duken më realistë. Ata janë të ndërgjegjshëm për tërheqjen e palavdishme të Bashës, por reken t’a përligjin atë me rrethimin që i bënë liderit demokrat. Ata pretendojnë se ai nuk mund të luftonte më edhe kundër Europës edhe kundër ShBA, edhe kundër armiqve politikë edhe kundër aleatëve që po përgatiteshin t’a tradhëtonin edhe kundër të blerëve si Bregu e Selami edhe kundër kritikëve dinjitozë si Topalli dhe Patozi.
Pra, nëse të parët përpiqen ta shesin zbythjen për ngadhënjim, të dytët, më të matur, duan të arsyetojnë se liderit demokrat nuk i kishte mbetur asnjë rrugë veç nënshkrimit të marëveshjes me Ramën.
Por, si njëra palë po ashtu edhe tjetra, si idiotët e dobishëm që po thërrasin fitore, si zërat e”arsyeshëm” që justifikojnë tërheqjen, nuk përligjin dot një fakt të thjeshtë: që çadra po mbyllet me një dështim ulëritës.
Ata të gjithë së bashku nuk fshehin dot, jo vetëm përdhosjen e utopisë imagjinare të republikës së re, por edhe dështimin e misionit minimal: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sepse marveshja e këtij mes maji është as më pak dhe as më shumë sesa pranimi i një gare që nxjerr Edi Ramën fitues.
Dhe për të vërtetuar këtë nuk ka nevojë të kalamendesh në arsyetime të komplikuara. Boll të rimarësh thelbin e asaj që vetë Basha ka thënë dhe propoganduar për tre muaj në çadër.
Me pak fjalë ai ka mbrojtur tezën se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me një kryeministër që mban në duar fijet e pushtetit okult të trafikantëve të drogës, të binesmenëve konçesionarë dhe të televizioneve të mëdha të blera me benefice publike. Pra po t’i besoje atyre që Basha kumtonte nga bulevardi i Tiranës, e keqja nuk qe as te data e zgjedhjeve, as tek kreu i KQZ-së, as tek mësuesit socialistë që nxirrnin nxënësit në mitingje dhe as tek drejtorët e policisë të lidhur me kultivuesit e hashashit.
Po ta merrje seriozisht liderin demokrat, bindeshe se Edi Rama kontrollonte një mekanizëm ekstra demokratik me të cilin ishe e kotë të mateshe dhe të konkuroje. Se ai kishte ngritur një sistem që zgjedhjet i shndërronte në farsë dhe opozitën në një zbukurim që plotësonte fasadën demokratike.
Në rrjedhim të këtij arsyetimi, Basha pretendonte se kërkesa e tij për zgjedhje pa Ramën, nuk qe as një tekë fëmijënore dhe as një absurditet për të marrë pushtet në tavolinë, por një kusht i domosdoshëm për një proces të ndershëm dhe të pandikuar nga faktorë ekstrademokratikë.
Dhe është pikërisht ky arsyetim që e bën marrëveshjen e tanishme të duket si një dështim ulëritës. Sepse përmes saj lideri i PD ka hequr dorë nga e vetmja gjë që e paraqiti me të drejtë si problemin madhor të këtyre zgjedhjeve.
Po tani me Ramën kryeministër kush do t’i garantojë ato? Disa ministra neutralë që ai mund t’i blejë siç ka blerë gjithçka në këtë vend? Kreu i ri i KQZ-së që vetëm çelësat e kashtës ka në dorë? Disa UFO të ODHIR-it që do të hartojnë raportin final?
Basha nuk mund të argumentojë dot kurrësesi se cila nga koncesionet që ka fituar me këtë “deal” euro-amerikan do t’i pengojë trafikantët të radhiten në fushatë pro njeriut që i bëri të pasur me hashashin? Se cili prej tyre garanton se përfituesit e koncesioneve dhe lejeve të ndërtimit nuk do të hedhin miliona për fushatën e PS-së? Se me ç’farë amendamenti do të pengohen pronarët e mediave të lartësojnë imazhin e liderit global?
Vetëm nëse shtron këto pyetje e kupton më lehtë se Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje për të hyrë në zgjedhje si humbës. Se ai ka arritur vetëm të retushojë pak një garë që sërish do të jetë farsë. Se ai ka pranuar me bisht në shalë një konkurim jo të lirë dhe të ndershëm, madje duke rrezikuar të bëhet edhe qesharak nëse thotë pas përfundimit se ai rezultoi i tillë.
Pikërisht për këtë, si grupimi i parë i mbështetësve të tij që thërasin fitore, si ata që e justifikojnë si të vetmen rrugë që i kishte mbetur, nuk bëjnë asgjë më shumë sesa gënjejnë publikun.
Gjërat duhen thënë troç.
Lulzim Basha jo vetëm është tallur me ata që i besuan për “Republikën e re” e cila u flijua në të njëjtat tryeza si ato ku kishin bërë marëveshje Berisha me Nanon dhe Ramën, por ai nuk arriti dot as objektivin minimal: një palë zgjedhje të ndershme.
Dhe si pasojë shqiptarët do të drejtohen këtë fund qershori drejt kutive të votimit, në një garë të cilës i njihet fituesi. Ato do të marrin pjesë në një farsë e cila dihet se cilin emër do të prodhojë si kryeministër.
Ironikisht, e vetmja enigmë që do të mbetet pas saj do të jetë emri i atij që do të drejtojë opozitën e re.