Gjatë takimit të zhvilluar pasditen e djeshme në Petrelë, me titull “EU Transit –Tirana Farm”, me objektiv gjetjen e partnerëve dhe rritjen e mundësisë për bashkëpunim ndërmjet sipërmarrësve të rinj në vendin tonë dhe vendeve të tjera europiane, kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi ndër të tjera mbështetjen për të rinjtë.
Ai u shpreh se për të gjithë ata të që kanë ide të caktuara, bashkia mund të ofrojë grante ose kredi në varësi të ideve:
“Bashkia e Tiranës e ka një skemë të kredive dhe të granteve për të rinjtë. Nëse shuma është e vogël, ne mund ta japim në formë granti, nëse një nga të rinjtë këtu në Kryezi, Hekal, Petrelë apo kudo ka një ide, të shohim nëse mund ta financojmë. Nëse ideja është investim pak më i madh, kemi edhe një fond të mikrokredive si Crimson Fund Albania, ku gjithashtu japim mikrokredi për një periudhë afatgjatë me norma interesi thuajse zero, por që të sigurohemi që ai djalë apo vajzë që ka një ide brilante se si mund të gjenerojë të ardhura me ekonominë e fshatit, të ketë mundësi ta bëjë edhe me ndihmën e Bashkisë.”, u shpreh Veliaj.
Ai u ndal më tej tek nevoja e nxitjes së prodhimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale vendase dhe shtimin e investimeve si ai i Pazarit të Ri.
(XH.A/SHUPLAKA)