Kanë nisur lëvizjet dhe përsa i përket zëvendësministrave. Pas emrave të gjashtë ministrave teknikë, nga kryeministria njoftohet se dhe numrat 2 në gjashtë ministritë do të pësojnë lëvizje.
Ditën e djeshme pas një takimi Rama-Basha në ‘’Pallatin e Kongreseve’’ u vendosën 6 emrat e ministrave teknikë të cilët iu çuan për dekretim Presidentit.
Ndërkohë sot në mbledhjen e Parlamentit që do të nis nga ora 18:00 do të bëhet votimi i tyre në Kuvend.
Në emrat e emëruar në postet 2 të ministrive nuk duket që të jenë shumë teknicienë pasi propozimet nuk janë të panjohur.
Ajo që bie në sy është rrokada në ministrinë e Brendshme ku vendin e Elona Gjebresë, të parës së listës së PS-së për Tiranën e merr Rovena Voda e cila deri më tani ka mbajtur postin e shefes së kabinetit në Ministrinë e Xhafajt.
Më herët, Voda ka qenë shefe kabineti e ministres së Shtetit, Ermonela Felaj, e fill pasi Rama caktoi Xhafën në krye te Ministrisë së Brendshme, ajo shkoi atje shefe kabineti.
Po duket se kjo nuk është e vetmja lëvizje brenda ministrive. Edhe emri që do të marrë postin e zëvendësministrit të Financave nuk është një emër i panjohur.
Irena Beqiraj e ka mbajtur postin e zëvendësministres në kohën kur drejtonte Shkëlqim Cani në 2015-tën.
Kujtojmë se në marrëveshjen e 18 Majit nuk ishte e parashikuar zëvendësimi i numrave 2 në ministri, po pavarësisht kësaj vendosja e ekspertëve shërben si një garanci që kryeministri Rama të jetë në brendësi të zhvillimeve në këto dikastere. Ndoshta për Gjebrean është lënë më shumë hapësirë të angazhohet në fushatë.
(E.K/SHUPLAKA)
