Trajneri i Kukësit deklaron se skuadra e tij është e gatshme dhe shpreson që të luajë në grupet e Europa League. Edhe pse ai mendon se është ende herët për të folur për ndeshjet në kupat e Europës, trajneri Gjoka është shprehur se Është e tepruar të mendojë për grupet e Champions League por ëndërron për një kualifikim në Europa League.
“Unë kam një ëndërr, ndoshta Champions League është e tepruar, por ëndërroj grupet në Europa League. Gjithsesi, është ende herët për të folur për të ardhmen. Të mbarojë kampionati njëherë, të ulem me presidentin e të diskutojmë, pastaj të vendosim mbi skuadrën dhe përforcimet”, është shprehur Gjoka.
Trajneri i Kuksianëve ka folur edhe për marrëdhënien me Presidentin Gjici. Ai është shprehur se Gjici është një njeri që jeton me futbollin, është profesionist dhe shumë korrekt me skuadrën, madje ai e ka konsideruar veten me fat që ka një President të tillë.
“Kam marrëdhënie profesionale, shumë të mira. Gjici është një person që jeton nga mëngjesi deri në darkë vetëm me futbollin. Është njeriu që më ka mbështetur në çdo drejtim dhe ndihem me fat që kam pasur një president të tillë, sepse dihet që në futboll kjo është pjesë shumë e rëndësishme. Gjici ka qenë korrekt në paga, në premio dhe në sjelljen me futbollistët”, ka thënë ai, për “Supersport”.
Në fund Gjoka ka komentuar edhe arbitrimin aq shumë të diskutuar në ndeshjen Kukësi – Skëndërbeu. Trajneri është shprehur se Jorgjit I doli ndeshja nga kontrolli por si trajner i Kukësit ai nuk mund të japë një mendim neutral.
“Gjyqtari e humbi mes presionit tonë nga stoli dhe presionit të lojtarëve në fushë, por unë jam trajner i Kukësit, nuk mund të jap unë mendim neutral. Mendoj se ndeshja i doli nga kontrolli arbitrit te penalltia e pretenduar nga Skënderbeu. Kartoni i kuq i Micit është i tillë, sepse ndal me faull Pejiçin, që po shkonte drejt zonës. Emini u rrëzua në zonë, ka pasur një prekje, arbitri ka vendosur për penallti, nuk mund ta paragjykojmë menjëherë”, ka përfunduar trajneri Gjoka. (B.H/Shuplaka)
Discussion about this post