Kryeministri Edi Rama ndodhet në një takim me të rinjtë e FRESSH dhe jo në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që është mbledhur në Kuvend para nisjes së seancës plenare.
Në këtë takim, Rama foli për marrëveshjen e tij me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe për procesin e Vettingut.
“U bë çerek shekulli që shqiptarët janë pre në kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.
Nuk ka shans që të vazhdojmë rrugën drejt Europës nëse nuk i provojmë BE-së se jemi në gjendje të bëjmë një shtet serioz.
Historia është e njohur, nuk dua të përsëris, sepse historinë e Reformës në Drejtësi e kanë ndjekur me dorë në zemër e me zemër të ngrirë socialistë dhe demokratë. Që është gjë shumë e rrallë në këtë vend me mbipolarizim partiak.
Sot jemi dëshmitarë se pavarësisht se dukej e pamundur, bëmë të mundur para zgjedhjeve të qershorit zhbllokimin e vettingut në Kuvendin e Shqipërisë.
Me të njëjtën këmbëngulje që luftuam dhe fituam për Vettingun do të luftojmë për të rritur punësimin, ekonominë dhe miqëqenien e Shqipërisë.
Vettingu është produkti më i rëndësishëm në marrëveshjen e bërë me opozitën, e cila u rikthye në rrugën e zgjedhjeve por nga dera e Vetingut, dhe pasi të arrihet vettingu do të vazhdojë rrugën drejt zgjedhjeve.
Duhet të jemi të bindur se fitorja apo humbja, në këtë rast fitorja e PS dhe humbja e PD më 25 qershor kanë rëndësi të madhe por ka një rëndësi themelore fakti që u mundësua Vettingu.”, deklaroi Rama. (D.D/Shuplaka)