Deputetja socialiste Vasilika Hysi u shpreh sot në rubrikën “Opinion” se pas seancës së mbrëmshme plenare për komisionin “ad hoc” ky është fillimi i punës, për një proces që do të zgjasë përgjatë gjithë sezonit veror duke iu referuar vettingut.
Hysi tha se brenda verës pritet të thirret një tjetër sesion i jashtëzakonshëm plenar për të votuar listën e konsoliduar me emrat për vettingun.
“Opozita solli kandidaturat për komisionet e vettingut dhe ne sot u konstituuam dhe kemi filluar me marrjen e dosjeve të kandidatëve. Nuk do të ketë pushim të punës për komisionerët, qoftë të mazhorancës, qoftë të opozitës. Me përfundimin e punës nga komisionet e verifikimit, do të vijohet me përzgjedhjen.
Edhe opozita e ka shprehur vullnetin e saj për bashkëpunim, dhe parashikohet të ketë një sesion tjetër plenar brenda verës. Do të votohet lista e konsoliduar e vettingut. Besoj se bllokimi që bëri opozita me çadër për 3 muaj shkaktoi një dëm të madh. Shpresoj që kjo mos përsëritet pasi nuk ndihmon askënd.
Me realizmin e vettingut më pas ngrihen edhe institucionet e tjera të gjyqësorit. Të gjithë anëtarët e këtyre institucioneve nuk mund të plotësohen pa u ngritur komisionet e vettingut që do të bëjnë vlerësimin. Kemi humbur shumë kohë për shkak të bojkotit të opozitës, por tashmë me arritjen e marrëveshjes shpresojmë që ky proces të përmbyllet sa më parë”, -tha deputetja socialiste.
Dje komisionet e vettingut u votuan me 123 vota pro.
(M.D/Shuplaka)