Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se u zhbllokua më në fund procesi i Vetingut me votimin e djeshëm në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi shprehet se në fakt ka ndodhur e kundërta.
“Kali që Rama ndryshoi në mes të lumit nuk ishte “Biba”, se ai si i tillë di not e del deri breg.
Ishte Vettingu që me votimin e djeshëm i ngeli në mes të lumit.
E ka marrë lumi tani lumëmadhin!
Duhet të japë llogari një më një për gjithë atë lum premtimesh të 2013.”, shkruan Boçi.
Një ditë më parë, pas votimeve në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, është shprehur se më në fund procesi i Vettingut është zhbllokuar dhe Shqipëria po ecën drejt negociatave me BE-në.
“Ndërkohë që gjëja që unë nuk kam shpresuar është ajo që ka ndodhur, që përpara se të fitojë PS ka fituar Shqipëria, që PS në filozofinë për të bërë shtet dhe partitë duhet të sillen si partner, dhe akoma më e rëndësishëm është se pas zgjedhjeve do kemi një fitues dhe rezultati do jetë i pakontestueshëm, atë që Shqiptarët e kanë ëndërruar më shumë se fitoren e partisë.
Garantimi i këtyre zgjedhjeve dhe përpjekjet e përbashkët është pjesë e angazhimit për të çelur negociatat me BE-në. Përpara Brukselit duhet të flasim me një zë të unifikuar për të mbështetur interesat e Shqipërisë. Është prova që shumë shpesh kemi qenë në gjendje të bëjmë të pamundura gjëra të mundura, por sot kemi bërë të mundur atë që është e pamundur.
Sot është zhbllokuar vettingu dhe vettingu nuk është një proces që nuk bëhet thjesht nga shqiptarët, por nga përfaqësuesit e partive, e monitorojnë nga afër me mandate kushtetuese një grup gjykatësish dhe prokurorësh amerikanë dhe europianë, dhe shqiptarët do shohin rezultatet e pritura prej 27 vitesh. Jo vetëm për të marrë hak për çfarë ka ndodhur këto 27 vite, por shqiptarët do ndihen më tepër të respektuar dhe shumë më pak të shantazhuar nga ata që e mbajtën peng në kthetrat e tyre për plot 27 vjet.”, deklaroi Rama një ditë më parë. (D.D/Shuplaka)