Gjithçka ka nisur rreth orës 19 e 30 kur një automjet ka ndaluar pranë lokalit ku ishin duke konsumuar një kafe drejtori i OSHEE-së Roland Saliu dhe drejtori i një televizioni privat në Vlorë, Ervin Hyseni.
Nga dritarja e pasagjerit të makinës një breshëri kallashnikovi ka rënë mbi trupat e dy personave.
Saliu ka mbetur i vdekur në vend, ndërkohë që Hyseni është transportuar drejt spitalit pa mundur dot të mbijetonte plagëve të marra.
Sipas informacioneve të policisë, mësohet se kanë qenë dy persona me automjet, që kanë kryer atentatin. Njëri prej tyre ka qëlluar duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve të tjerë, të cilët ndodheshin në ato momente në lokal, por edhe jashtë tij.
Atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të daljes së Vlorës, ndërsa rreth 30 minuta më pas, në afërsi të fshatit Panaja, në mbikalimin e autostradës Levan-Vlorë, është gjetur edhe automjeti tip ”BMW”, i cili ishte gjysëm i djegur nga brenda.
Policia ka konfirmuar se dyshohet të bëhet fjalë për një automjet të vjedhur, i cili është braktisur nga atentatorët.
Policia e Vlorës ka bërë kontrollin e plotë të automjetit të braktisur dhe ende vijon punën për gjetjen e ndonjë gjurme të mundëshme.
Si pistë e parë e hetimeve është ajo e hasmërisë. Uniformat blu kanë shoqëruar 10 persona në komisariat, por ende nuk kemi asnjë të dyshuar kryesor për këtë ngjarje.
Shënjestër e atentatit mendohet të ketë qenë pronari i televizionit lokal, por zyrtarisht policia nuk dhënë një version zyrtar. (E.K/SHUPLAKA)