Pas një takimi në Selinë e LSI-së, Paskal Milo dhe Petrit Vasili nënshkruan marrëveshjen e tyre të bashkëpunimit për zgjedhjet e Qershorit.
Në fjalën e të dyve theksi u vendos te garancia e votës në zgjedhjet e 25 Qershorit po dhe vijimi i bashkëpunimit në qeverisjen e nesërme.
Tashmë nuk mund të ketë koalcione, pasi marrëveshja e 18 Majit mes Ramës dhe Bashës nuk i rihapi afatet, duke i lënë kështu pothuajse ‘’jashtë loje’’ partitë e vogla.
Po nëse iu hedhim një sy rezultateve të këtyre partive në zgjedhjet e fundit Parlamentare do të shohim se në rang vendi PDS-ja ka arritur të grumbullojë 11 891 vota ose 0.69% të votave Kombëtare.
Po pavarësisht kësaj mbështetjeje të konsiderueshme Milo dhe Partia e tij nuk arritën të merrnin asnjë mandat, kjo për shkak të Kodit Zgjedhor që kërkon një prag mjaft të lartë për arritjen e mandatit të parë.
Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë në total në rang vendi 180 470 vota e përkthyer kjo në 10.46% të votave kombëtare, ose 16 mandate deputetësh.
Nëse marrim në shqyrtim kryeqytetin që është dhe një nga qarqet më të rëndëishme në vend PDS-ja ka marrë 1958 vota ose 0.43% të votave të kryeqytetasve, ndërsa LSI-ja ka marrë në total 35 394 ose 7.84% e përkthyer kjo në 3 mandate deputetësh.
Nuk dihet nëse marrëveshja presupozon që Partitë në qarqe të ndryshme të favorizojnë njëra tjetrën po kujtojmë se edhe pse në koalicion jo pak herë Partitë e majta kanë akuzuar Partinë Socialiste për abuzim me votat e tyre. (E.K/SHUPLAKA)