Fatmir Mediu dhe Partia e tij kanë vendosur të dalin të vetëm në zgjedhjet e 25 Qershorit. Ky vendim vjen disa ditë pas negociatave që ata kanë bërë me Partinë Demokratike, por mesa duket pa arritur të gjenden pikat e përbashkëta.
Mediu dhe Partia e tij kanë kërkuar më shumë emra të tyre në listat e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që ende e paqartë mbetet kandidatura e Mediut.
Disa informacione thonë se vetë Mediu do të jetë pjesë e listës së PD-së edhe pse Partia e tij do të dalë e vetme.
‘’Partia Republikanë është e pakënaqur me negociatat politike me Partinë Demokratike. Ne kemi vendosur të shkojmë të vetëm në zgjedhje për të matur elektoratin tonë’’, janë shprehur burime të PR-së për ‘’Ora News’’.
Nuk dihet nëse rrugën e Mediut do ta ndjekin dhe aleatët e tjerë të pakënaqur me Bashën. Vetë kreu i PD-së që prej marrëveshjes me Ramën është mbyllur në takime të shumta në Selinë e partisë Demokratike.
Kujtojmë se deri më tani marrëveshje janë arritur me Dashamir Shehin, Nard Ndokën, po ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët me Agron Dukën, apo me Vangjel Dule.
(E.K/SHUPLAKA)