Paraditen e sotme, Partia Republikane, një ndër aleatët më të rëndësishëm të Partisë Demokratike gjatë qëndrimit të kësaj në çadër, u fol do të hynte e vetme në zgjedhje. Më pas, burime të kësaj partie konfirmuan lajmin e kandidimit të vetëm për shkak të pakënaqësive të lindura nga negociatat politike me PD-në.
Së fundmi, burime për “Shuplaka” bëjnë të ditur se kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka rritur pretendimet e partisë që ai drejton. Mësohet se nga katër kandidatë përcaktuar fillimisht në marrëveshjen mes dy partive, ai tanimë kërkon shtatë kandidatë në listat për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
“Shuplaka” mëson se kjo është arsyeja e takimit të zhvilluar pak më parë në selinë e Partisë Demokratike, mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kreut të PR-së, Fatmir Mediu.
Rritja e këtyre pretendimeve vjen pas regjistrimit të PR-së si subjekt zgjedhor dhe një ditë pas marrëveshjes që Basha arriti me tri partitë e tjera opozitare, PBDNJ, PDK dhe LZHK.
(XH.A/SHUPLAKA)