Presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të deputeti të LSI Gjovalin Kadeli.
“Me pikëllim dhe trishtim të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të mikut, shokut dhe kolegut tonë të dashur Gjovalin Kadeli. Kjo ndarje e parakohshme dhe e padrejtë nga jeta e deputetit Gjovalin Kadeli është një dhimbje e madhe për të gjithë kolegët e tij të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo është një humbje e pazvendësueshme për fëmijët e tij, për familjarët dhe të afërmit, për shokët e miqtë e tij të panumërt dhe për të gjithë përkrahësit e tij të përkushtuar në Lezhë, Kurbin, Mirditë e në gjithë Shqipërinë.
Ndonëse nuk do të jetë më mes nesh, me shumë dashuri, mirënjohje dhe respekt miku e shoku i dashur Gjovalin do të mbetet në kujtesën tonë dhe në mendjen e të gjithë atyre të cilët ndanë me të jo vetëm humorin tij të çasteve të gëzuara, por edhe vëmendjen dhe përkushtimin e tij ndaj halleve e problemeve të jetës së njerëzve të thjeshtë. I përjetshëm qoftë kujtimi i mikut, shokut e kolegut tonë Gjovalin! U prehtë në paqe shpirti i tij!”,- ka shkruar Meta në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Gjovalin Kadeli mësohet se ka humbur jetën në Itali teksa po kurohej për një sëmundje që e mundonte prej kohësh.
(M.D/Shuplaka)
Discussion about this post