Policia e Korçës ka publikuar sot masat paraprake për mbarëvajtjen e ndeshjes Skënderbeu-Partizani që do të luhet ditën e nesërme.
Masat përfshijnë disa bllokime rrugësh , mbyllje baresh rreth zonës së stadiumit dhe kontrolle të tifozëve.
Njoftimi i Policisë:
Masat e marra nga Policia, për zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit midis ekipeve “Skënderbeu” – “Partizani”.
Në datën 27.05.2017, ora 17:00, në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës zhvillohet ndeshja e futbollit ndërmjet ekipeve “Skënderbeu”-“Partizani”,e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes.
Duke filluar nga ora 12:00, datë 27.05.2017 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth stadiumit “Skënderbeu”.
Nuk do të lejohet lëvizja apo parkimi në rrugën drejt Pallatit të Sportit, në rrugën “Niko Kovaçi”, në shëtitoren “Rilindasit”, përpara hyrjes qendrore të Stadiumit, përveç atyre të përcaktuara nga autoritetet përkatëse të tij.
Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore, do të bllokojnë rrotullimin dhe lëvizjen nga vendi i quajtur “Lëndina e lotëve” në bulevardet “Republika” dhe ”Gjergj Kastrioti” .
Duke filluar nga ora 15:00, do të merren masa për paralajmërimin dhe mbylljen e lokaleve, pikave të shitjes ambulante që kryejnë aktivitet përreth Stadiumit apo në lulishtet pranë tij.
Në kryqëzimet dhe bulevardet kryesore të qytetit, do të ketë shërbime të shtuara Policie, për të shmangur bllokimin e trafikut të qytetit.
Në lidhje me ndeshjen do të angazhohen në total 235 punonjës policie, si edhe do të jenë në përdorim 24 mjete Policie.
Do të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarreve, shashkave zhurmuese e tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e stadiumit.
Qytetarët të cilët janë pajisur me biletë,të marrin masa për paraqitjen në ambjentet e stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit.
Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, si edhe Klubit “Skënderbeu” kërkohet një sjellje korrekte dhe e kulturuar e tifozëve, shmangien e veprimeve që mund të çojnë në konflikte mes tyre dhe që mund të cënojnë rendin publik.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe mediat për bashkëpunimin !
(M.D/Shuplaka)