Superliga shqiptare sot me shumë mundësi do të humbasë një nga klubet ikonë që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar.
Të dy ekipet kanë ardhur në një situatë që humbja e njërës apo tjetrës do ta dërgonte njërën nga dy ekipet një kategori më poshtë. Vllaznia duket të jetë më e favorizuar pasi luan edhe për barazim, ndërsa Tiranës i vlen vetëm fitorja.
Mbijetesa e Tiranës duket të jetë më e vështirë, kjo sepse Laçi dhe Flamurtari të cilët janë dhe ata të rrezikur për të rënë nga kategoria, kanë ndeshje të lehta në shtëpitë e tyre.
Laçi do të përballet me Teutën e cila e ka siguruar mbijetesën dhe luan pa motiv, ndërkohë që Kurbinasit do kërkojnë fitoren. Flamurtari luan ndaj Korabit që nuk ka asnjë motiv dhe ka rënë me kohë nga kategoria.
Ka vetëm një kombinim që mund ta shpëtojë Tiranën nga rënia.
Nëse Tirana dhe humbet me Vllazninë dhe Laçi me Flamurtarin dalin barazim, gjë që është shumë e vështirë të ndodhë, Tirana barazohet me pikë.
Në këtë rast hyn në fuqi rregulli i dueleve direkte. Tirana me Laçin kanë bilanc krejtësisht të barabartë me njëri-tjetrin. Flamurtari me Laçin gjithashtu. Në një situatë të tillë kalohet te pikët që kanë grumbulluar tri skuadrat ndaj njëra-tjetrës dhe renditja është: Flamurtari i pari, Tirana e dyta dhe Laçi i treti. Pra, nëse këto tri ekipe e mbyllin me 38 pikë, zbret Laçi.
Ky kombinim është i vështirë të arrihet megjithëse përvoja ka treguar që në fund më të vegjlit e kanë pësuar. Tirana dhe Vllaznia prej disa vitesh janë në një gjendje të vështirë në kampionatin shqiptar dhe shpesh sezonet e fundit e kanë gjetur veten duke luajtur për mbijetesë.
Për superligën rënia e njërës apo tjetrës do të ishte një humbje e madhe, këto ekipe kanë një emër të madh në vendin tonë por u dërguan në këtë gjendje falë keqmenaxhimit që u është bërë prej disa vitesh. (B.H/Shuplaka)