Mes emrave që mbeti jashtë listave të kandidatëve për deputetë në PD edhe pse nuk pritej ishte dhe Besart Kadia.
Kadia është sekretar për sipërmarrjen e lirë në PD. Ai thotë se në fund të këtyre katër viteve nën drejtimin e PD-së Basha ka një bilanc mjaft pozitiv.
“Basha ka ekip të tij qeverisës që është shumë herë më i madh e politik sesa lista me përfaqësues për parlament e programi i PD-së për ekonominë është pa dyshim një program që përmirëson ekonominë e vendit dhe jetën e çdo qytetari. Emrat në listë? Lexoni programin Basha”, shkruan ndër të tjera Kadia.
ANALIZA E PLOTË:
Lulzim Basha këtë fundjavë ka kryer aktin e parë të plotë të tij si politikan i forcës më të madhe opozitare. Cilido lider politik të kishte marrë timonin e Partisë Demokratike në vitin 2013, do ta kishte të vështirë të arrinte deri në fund të mandatit me këtë bilanc pozitiv që ka sot Lulzim Basha dhe Partia Demokratike. Për sa u përket vështirësive, mos harrojmë se në 2013 PD dukej se do të qëndronte gjatë në një proces rinovimi e konflikti të mundshëm të brendshëm.
Për katër vite të djathtë dhe të majtë opinion publik e gazetarë qortonin Bashën se përse ai mbante akoma emra ish-ministrash në parti, e për këtë arsye opozita e tij ishte e ngarkuar me paragjykime si e pabesueshme. Basha mori Partinë Demokratike në kushtet kur elektorati i dha një verdikt tejet negativ në zgjedhjet e 2013, duke prodhuar një maxhorancë dispoporcionalisht më të madhe se qe e shëndetshme për demokracinë e vendit, e cila u keqpërdor nga qeveria Rama në kurriz të qytetarëve dhe të opozitës.
Po ashtu jo në favor të tij ishte fakti se ish-kryeministri dhe ish-kryetari i partisë Sali Berisha ishte në parlament e ai jashtë. Ky disavantazh i Bashës rritej akoma më shumë teksa betejën politike ishte i detyruar ta bënte si opozitar nga selia e tij e jo në kohë reale me kryeministrin Rama dhe në kushtet kur grupi parlamentar i kohës detyrimet politike ia kishte ish-liderit të partisë e jo atij.
Po ashtu në disavantazh iu kthye dhe reforma territoriale, e cila ishte krejtësisht një “Gerrymandering” shqiptar që dha rezultat negativ në shumë qytete të mëdha. Rezultati i zgjedhjeve nuk u ndihmua dhe nga fakti qeveria përdori asetet shtetërore në zgjedhje e intimidoi elektoratin sipas raportit të OSBE. Në pamje të parë nga një pretekst opozitar shqetësimi për rritjen e prodhimit të kanabisit u shndërrua në kauzë të mprehtë politike, duke rezultuar, megjithëse me bojkot gjashtë mujor, në fitoren e parë në formën e ligjit të dekriminalizimit që largon Roshërat nga politika.
Ligjërisht opozita ka mundur qeverinë në shumë kauza në Gjykatë Kushtetuese, duke u siguruar që të drejtat e qytetarëve të mos abuzohen nga pushtet i pakufizuar. Me të njëjtin parim, pavarësisht negociatave të gjata e të vështira me ndërkombëtar, opozita e Lulzim Bashës arriti t’i jepte formë sipas frymës së opozitës edhe reformës në drejtësi në korrik të vitit të shkuar. Rezistenca dhe karakteri i fortë opozitës gjatë 90 ditëve protestë në çadër dhe mitingjeve të mëdha bënë që sot Lulzim Basha të hyjë në zgjedhje me PS e LSI të ndarë, e kjo nuk është pak.
Si rrallëherë opozita ka bërë publike edhe alternativën e saj qeverisëse në formën e programit politik dy vite para zgjedhjeve të përgjithshme, duke ofruar përgjegjshmëri dhe besueshmëri në publik. Për më tepër ka ofruar në publik dhe ekipin e tij me anë të koordinatorëve kombëtarë, të kryesisë së partisë, të departamenteve politikë në parti, të forumeve rinore etj. E ardhmja është e ndërthurur me historinë e rëndësishme që PD ka pasur në qeverisjen e vendit.
Për këtë arsye PD ka pranuar kontributin e gjithsecilit në parti edhe atyre të larguarve herët ose rishtazi nëpërmjet departamentit të “Kontributeve Historike” që kryesohet nga Z. Jemin Gjana. Sot në media dhe në opinion publik vihet re një debat i gjatë i panevojshëm dhe personal për emrat konkretë në listën e propozuar nga PD për zgjedhjet e vitit 2017.
Pa u përqendruar në emrat konkretë opozita katërvjeçare e PD-së ka çuar në një ekuilibër të ri në favor të saj mes forcave politike në vend që ishte e paimagjinueshme edhe para katër muajve. Opozitë e bashkuar e përfaqësuar brenda PD-së e një e majtë që konkurron me njëra-tjetrën për zgjedhje. Ky avantazh strategjik që vjen si pasojë e lëvizjeve të opozitës në muajt e fundit nuk duhet shpërdoruar.
Basha ka ekip të tij qeverisës që është shumë herë më i madh e politik sesa lista me përfaqësues për parlament e programi i PD-së për ekonominë është pa dyshim një program që përmirëson ekonominë e vendit dhe jetën e çdo qytetari. Emrat në listë? Lexoni programin Basha. (E.K/SHUPLAKA)