Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur kryeqytetin afgan Kabul. Sipas raporteve të para, një autobombë në sheshin Zanbaq ka shkaktuar 9 viktima.
Aq e madhe ishte forca e shpërthimit, sa ka dëmtuar edhe banesa të ndodhura qindra metra larg. Zyrtarët afganë flasin edhe për 84 të plagosur, por presin që bilanci të rëndohet akoma më shumë.
Ngjarja ndodhi pranë ambasadave të huaja, sidomos asaj gjermane dhe Pallatit Presidencial. Korrespondentët në vendngjarje flasin për skena kaotike, me shumë të plagosur dhe njerëz që dërgohen në spital.
Zona e shpërthimit është rrethuar aktualisht nga forca të shumta policore. Në fillim të muajit, 8 civilë humbën jetën nga sulmet kamikaze ndaj një karvani të NATO-s, në kohën kur ky i fundit po kalonte pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Përgjegjësinë atëherë e mori përsipër Shteti Islamik, por për episodin e fundit të dhunës, deri tani, nuk ka bërë përpara asnjë grup. (E.K/SHUPLAKA)