Kandidatja për deputete Silda Çepe ka reaguar ndaj fenomenit që po ndodh në administratën publike me punonjësit në këtë muaj fushate. Sipas Çepes teknikët e politikës po nëpërkëmbin integritetin moral dhe dinjitetin e nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës, duke u bërë kontrolle 5-6 herë në ditë për të parë nëse kanë lëvizur nga karriget e tyre, duke iu anulluar lejet vjetore, duke iu zhbiruar profilet personale në mediat sociale e duke i kërcënuar me burg nëse do të merren me veprimtari politike jashtë orarit zyrtar.
“Kam dëgjuar gjithmonë e më shpesh së fundmi se teknikët e politikës po nëpërkëmbin integritetin moral dhe dinjitetin e nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës, duke u bërë kontrolle 5-6 herë në ditë për të parë nëse kanë lëvizur nga karriget e tyre, duke iu anulluar lejet vjetore, duke iu zhbiruar profilet personale në mediat sociale e duke i kërcënuar me burg nëse do të merren me veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Madje, kanë krijuar grupe pune që merren me gjithçka, përveçse me detyra shtetërore duke abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, me paratë tona. Zyrat e shtetit janë kthyer në mjedise denigruese profesionalisht e dhunuese psikologjikisht, ku punonjësve nuk u kërkohet performanca në punë, por firmosja çdo 1 orë nëpër defterë “teknikë”.”, shkruan Çepe.
Më tej ajo thekson se ligji ua jep punonjësve të drejtën që pas orarit zyrtar të marrin pjesë në veprimtari politike sa të duan.
“Të nderuar teknikë të politikës,
Më lejoni që, për t’jua bërë punën më të lehtë, si qytetare që e do këtë vend dhe si juriste me një barrë eksperiencë t’ju shpjegoj diçka. Kodi penal parashikon ndjekjen penale të personave që punojnë në administratën shtetërore në aktivitetet ose fushatë zgjedhore, vetëm kur kjo bëhet në kundërshtim me ligjin. Por ligji ua jep punonjësve të drejtën që pas orarit zyrtar të marrin pjesë në veprimtari politike sa të duan.
Madje nëpunësi civil, përveç atij të nivelit të lartë drejtues, mund të jetë dhe anëtar partie. Dhe e dini pse? Se të drejtat dhe liritë politike mbrohen me Kushtetutë dhe Kushtetuta thotë që pluralizmi është një nga bazat e shtetit shqiptar.
Ishte tjetër kohë e tjetër filozofi ajo kur për të patur bindje politike të tuat futeshe në burg. Në këtë kohë e me filozofinë e pluralizmit, ti ke të drejtë të kesh bindjet e tua, e ndjekja penale fillon vetëm nëse i përdor ato në kundërshtim me ligjin duke abuzuar me detyrat shtetërore. E keni parasysh? Fiks siç ndodhte deri në 2013.
E shyqyr që ia arritëm kësaj dite, apo jo?
Ndaj shumë të nderuar, nëse doni që punonjësit e administratës të përdorin orarin zyrtar për punë, jepuni atyre punë për të bërë. Se duhet shumë punë ende për ta bërë këtë vendin tonë një vend të mirë për të rritur fëmijët. Jepuni punonjësve punë për të bërë, e jo defterë për të firmosur Më besoni, funksionon!”, përfundon Çepe. (J.V/Shuplaka)