Ai përndiqte prej disa muajsh vajzën 18 vjeçe me iniciale Xhoena N. ndërsa dy ditë më parë e ka pritur para një lokali duke tentuar ta fuste me forcë në makinën e tij tip “BMW X6”
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, por ndërkohë është arritur të parandalohet falë ndërhyrjes në kohë të forcave të rendit. Theksojmë se në momentet e para vajzës i kanë ardhur në ndihmë disa kalimtarë të rastit, por nga ana tjetër, ajo kishte telefonuar më parë Policinë, se i riu po e rrëmbente.
Sipas “Panorama”në prangat e policisë ka rënë studenti 21-vjeçar Irind Kateshi, i cili akuzohet për “përndjekje”.
KALLEZIMI
Të mërkurën, rreth orës 22:45, është paraqitur në Komisariatin nr.1 shtetasja Xhoena N., 18 vjeçe, nga Skrapari dhe banuese në Farkë të Vogël të Tiranës, e cila ka denoncuar se është përndjekur nga një person, i cili ka tentuar ta fusë me forcë në makinë.
Në kallëzimin e dhënë adoleshentja ka deklaruar se prej kohësh përndiqet nga ana e shtetasit Irind Kateshi, duke i krijuar gjendje frike e ankthi dhe pasiguri për jetën.
“Konkretisht, sot (të mërkurën), rreth orës 22:30, Irind Kateshi më ka pritur në rrugë dhe ka tentuar të më fusë me forcë në makinën e tij. E kisha parë makinën nga larg dhe telefonova Policinë, pasi ky person më përndiqte prej kohësh. Është dashur ndërhyrja e personave të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë ndërprerë veprimet e Irind Kateshit”, ka deklaruar në kallëzimin e saj 18-vjeçarja Xhoena N.
ARRESTIMI
Menjëherë pas telefonatës së 18-vjeçares dhe adresës së dhënë nga ana e saj, shërbimet më të afërta të Komisariatit nr.1 janë nisur drejt vendngjarjes. Në momentin që Policia ka mbërritur aty, ka parë që disa persona i kishin ardhur në ndihmë denoncueses, ndërsa personi i dyshuar po tentonte të largohej me makinën e tij tip “BMW X6”.
Policia i ka bërë shenjë të ndalojë dhe 21- vjeçari Kateshi është bindur. Më pas ai është shoqëruar në Komisariatin nr.1, ku është marrë në pyetje rreth ngjarjes, derisa në orën 02:00 të ditës së djeshme i është komunikuar arrestimi me akuzën e përndjekjes.
Vetë i arrestuari ka mohuar akuzat, duke pretenduar se thjesht ka dashur të bisedojë me adoleshenten dhe t’i kërkonte asaj një lidhje dashurie, pasi e pëlqente. (J.V/Shuplaka)