Marisa Kaçori është drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit Tiranë që u pushua nga puna për pjesëmarrje në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste.
Ka qenë ministrja e re e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhujeta Kërtusha ajo që ka firmosur largimin e drejtoreshës Kaçori nga puna.
Për Ora News Kaçori ka reaguar duke thënë se nuk i di ende faktet e shkarkimit nga detyra.
Në njoftimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë thuhet se në kuadër të masave të marra për parandalimin e angazhimit të punonjësve të administratës publike në aktivitete elektorale, brenda orarit zyrtar të punës, Ministrja Xhulieta Kërtusha ka firmosur sot propozimin për largim nga puna të drejtoreshës rajonale të Shërbimit Kombëtar të punësimit, Tiranë.
Ministrja Kërtusha i ka propozuar Artur Mickaj, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, largimin nga puna të Marisa Kaçorit me arsyetimin se për këtë të fundit ka fakte që vërtetojnë pjesëmarrjen në fushatën elektorale të Partisë Socialiste.
“Kjo masë vjen në kuadër të përpjekjeve për të garantuar mospërdorimin e administratës publike në fushatën zgjedhore si një kusht për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Propozimi i Ministres Kërtusha bazohet në urdhrin e Kryeministrit nr. 65 datë 12.05.2017 “Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit”, deklaron MMSR.
Po sot u shkarkua edhe drejtori i Përgjithshëm i Postave, Majlind Lazimi nga radhët e LSI-së. Shkak për shkarkimin është bërë shkelja e ligjit elektoral, duke marrë pjesë në fushatën e LSI-së si dhe ushtrimi i presionit ndaj punonjësve për interesa elektorale.
Duket se Lazimin nuk e ka shkarkuar asnjë prej ministrave të rinj teknikë, por Task-Forca e ngritur me vendim qeverie, e cila ka për qëllim monitorimin e veprimtarisë së administratës gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërkohë Ministrja e Kërtusha i ka rekomanduar të gjitha institucioneve në varësi që të krijojnë një regjistër të posaçëm për monitorimin e prezencës në punë të punonjësve. Gjithashtu kërkohet pezullimi nga puna deri në përfundim procesit zgjedhor, i atyre punonjësve të administratës të cilët kandidojnë në këto zgjedhje parlamentare.
(M.D/Shuplaka)