Nga Blendi Fevziu
Nuk ngjan thuajse aspak më të tjerat! Është më ndryshe se çdo fushatë që kemi parë këto 27 vjet. Duhej të ishte më e tensionuar, por ngjan më e qetë. Duket se ka zëra më të ngritur, por askush nuk i merr seriozisht. Është një lloj hibridi që se kemi parë deri më sot, por që po ashtu, vështirë se mund të përsëritet sërish.
Po përse kjo fushatë është kaq e panatyrshme dhe cili është çelësi i saj. Ka së paku dy gjëra që e bëjnë të çuditshme. E para mungesa e programeve; E dyta pasiguria për atë që vjen më pas.
Mungesa e programeve ndihet kudo. Është hera e parë në gjithë këto vite, që 30 ditë përpara zgjedhjeve, partitë nuk kanë prezantuar programet e tyre; nuk kanë përcaktuar piketat e qeverisjes dhe as premtimet. Më shumë fushata fokusohet tek mënyra se si është qeverisur, (njëra palë e mbron dhe tjetra e sulmon), se sa tek ajo që premtojnë për katër vitet që vijnë. Askush në Shqipëri nuk di të thotë se cili do jetë programi i PS por as PD-së për shëndetësinë; asnjë nuk di të thotë cili do jetë programi i njërës apo tjetrës për arsimin. Flas për programe reale, sepse premtime në erë, duket se kanë nisur të bëjnë të gjithë.
Në 2005, 2009 dhe 2013, debati i programeve ka nisur minimalisht 6 muaj para zgjedhjeve dhe në “Opinion” ne kemi përballur vizione për taksat apo investimet; për infrastrukturën apo integrimin. Këtë vit, veç debatit se çfarë kanë biseduar Rama dhe Basha apo cili është pazari i tyre nuk kemi ndonjë debat më shumë.
Kaosin e shton më shumë edhe fakti që gjysmën e qeverisë tani e dominon PD dhe kjo “bashkëqeverisje” e detyruar, por edhe e sforcuar, nuk shpjegohet dot.
E dyta është pasiguria e asaj që vjen më pas. Veç liderëve, asnjë prej atyre që janë në fushatë nuk guxon ti ngrejë tonet përtej të moderuarës. Gjithsecili e di se qeverisja e nesërme do jetë një kombinim mes forcave politike. Në këtë kombinim do jenë më të pranueshëm dhe do gjejnë vend në qeveri ata që kanë një qasje më të moderuar ndaj kundërshtarit të sotëm, por aleatit të nesërm.
Ish-ministrat e PS-së nuk guxojnë të jenë agresivë as me Bashën as me Metën sepse nuk janë të sigurt se cila nga këto dy forca mund të jetë në koalicion me ta. Ndaj ata po i etiketojnë si kundërshtarë, duke menduar njëherazi, që do jenë edhe aleatë të nesërm.
Po e njëjta gjë për drejtuesit e lartë të PD-së, që kanë ulur kritikat ndaj Ramës duke menduar që nesër mund të bashkëqeverisin me të. I vetmi ndaj të cilit janë sulur të gjithë është Blushi, që po mban mbi supe edhe akuzat që PS nuk ja bën dot PD edhe akuzat që PD nuk ja bën dot PS.
Për të gjitha këto, kjo fushatë do jetë ndryshe nga të tjerat. As më e mirë, por padyshim as më e keqe, thjesht ndryshe.