Protestuesit po provojnë të futen brenda Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd, ku edhe po mbahet festivali me artistë nga Kosova – “Mirëdita, Dobar Dan”. Siç shihet në videot që po qarkullojnë në internet, numri i protestuesve sa vjen e shtohet, shkruan “Zeri.info”.
Për të marr pjesë në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” kanë udhëtuar nga Kosova për në kryeqendrën e Serbisë shumë artistë e gazetarë.
Nga video-lidhjet live nga vendi i ngjarjes dëgjohen të bërtitura në gjuhën serbe dhe situata ka rrezik edhe të eskalojë.
Në këtë festival është ndaluar të marrë pjesë edhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Ajo këtë ndalesë e konsideroi si një shkelje të marrëveshjes së Brukselit dhe kthim në periudhën e errët të viteve 90.
Sipas plan programit të festivalit, në ora 17:00 është e parapara të bëhet promovimi i librit “Unë dua të dëgjohem – libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë nga Integra dhe forumZFD. (B.H/Shuplaka)