Njoftimi i djeshëm i Trump për tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike ka shkaktuar reagime në mbarë botën.
Në Uashington pati protesta jashtë Shtëpisë së Bardhë ndërsa Parisi i ndezi në ngjyrë të gjelbër dritat në qendrën e qytetit, si reagim ndaj njoftimit të Trump për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshime Klimatike.
Marrëveshja e nënshkruar nga rreth 200 vende është një zotim i përbashkët për të pakësuar çlirimin e gazeve të efektit serë, në përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike.
Një numër i madh udhëheqësish botërorë, përfshirë Presidentin francez Emmanuel Macron, shprehën kritika për Trump.
“Unë e respektoj vendimin e tij, por mendoj se ai është i gabuar, si për Shtetet e Bashkuara, edhe për planetin tonë,”- tha zoti Macron.
OKB e cilësuan tërheqjen nga marrëveshja “një zhgënjim i madh” ndaj përpjekjeve për sigurinë globale:
“Marrëveshja e Parisit u miratua nga thujase të gjitha vendet e botës në vitin 2015 sepse të gjithë i pranojnë dëmet e mëdha që po shkaktojnë ndryshimet klimatike dhe mundësitë e jashtëzakonshme që paraqesin masat për ngadalësimin e tyre,”- tha zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Shtetet e Bashkuara i bashkohen kështu Nikaraguas dhe Sirisë, të vetmet vende që nuk janë pjesë e marrëveshjes së Parisit.
(M.D/Shuplaka)
Discussion about this post