Një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike është bërë natën e sotme në Vlorë. Policia Kufitare, dhe ajo e Vlorës në bashkëpunim me Guardia Di Financa kanë mundur që të realizojnë operacionin.
Gjithsej janë sekuestruar 685 kilogramë drogë brenda në gomone e fshehur mes pyllit.
Janë gjetur gjithësej 67 pako dhe 4 çanta, të cilat pas peshimit kanë rezultuar me peshë të përgjithshme prej: 685 kilogramë
DETAJET E POLICISË:
Vijon operacioni masiv për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike si dhe kundër kultivimit të bimëve narkotike! Në vijim në operacionit të nisur ditë më parë nga ajri, toka dhe uji, goditet një tjetër tentativë e trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë.
Bllokohet një mjet lundrues gomone me lëndë narkotike. Sekuestrohen 685 kg lëndë narkotike. Në operacion morën pjesë forca të shumta policore, si; Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Reparti Delta Force dhe GdF.
Gjatë mesnatës, pas një pune hetimore disa ditore mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur gjetja e një gomoneje me drogë, e fshehur në pyll pranë Lumit të Vjosës, rreth 1 km larg grykëderdhjes së saj, ku brenda së cilës gjendeshin pako dhe çanta të cilat përmbanin lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa.
Në këtë mjet dhe pranë tij (të hedhura në tokë) janë gjetur gjithësej 67 pako dhe 4 çanta, të cilat pas peshimit kanë rezultuar me peshë të përgjithshme prej: 685 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me njëra-tjetrën, vijojnë kërkimet duke krehur zonën tokësore përreth, por edhe atë ujore, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. (E.K/SHUPLAKA)