Kreu i opozitës Lulzim Basha iu është përgjigjur kritikave për gratë të bëra në distancë nga kryeministri Rama. Basha u shpreh se ai nuk i përdor gratë si manikine dhe për të mbushur listat.
Fillimisht kreu i PD-së u ndal edhe te programi ekonomik i kësaj partie duke thënë se ai premton rroga më të larta për çdo grua në vend.
‘’Bën vetëm batuta që ju të merreni me elefantët, zebrat. Tani ja ku jam këtu në këtë rrugë të lagjes sime të vjetër, duke ju parë sy më sy që në këto ditë fushate ju them që unë nuk do ta lejoj që ai të tallet me premtimet e pambajtura.
Në vend të parë për mua qëndron ekonomia juaj, ekonomia e lagjes sonë, ekonomia e të gjithë shqiptarëve. Programi ynë do të ndezë dhe njëherë tjetër motorrët e ekononomisë. Ju paguani pesfish taksa që nga viti 2013. Vetëm ulja e taksave do të mundësojë 400 milionë euro më shumë konsum në të gjitha anët e Shqipërisë.
Me të gjitha këto para që sot bëhen rrush e kumbulla do të rimëkëmbet ekonomia e vendit. 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë mundësi që të bëjnë stazhin me pagesë, 200 mijë lekë të vjetra në mënyrë që të bëjnë kalimin nga bankat e shkollës në tregun e punës. Kostoja vjetore për këtë program është 25 milionë euro, dhe është e barabartë me atë që aii jep në dorë vetëm një koncesionari.
Do të luftojmë fuqishëm që sipërmarrja e vogël dhe e madhe të ketë konkurrencë të ndershme. Nuk jam dhe nuk më njihni si njeri që bën lajka.
Unë nuk i trajtoj gratë si fasadë, ndihma e vërtetë për gratë është rritja e rrogës. Nuk duhen përdorur gratë në fushatë si manikinë dhe për të mbushur listat’’, u shpreh Basha. (E.K/SHUPLAKA)