Kryetari i Bashkisë së Tiranës ishte sot i ftuar në një universitet privat ku bashkëbisedoi me studentë dhe pedagogë por nuk pranoi të komentonte zhvillimet e politikës qëndrore.
Ai zgjodhi të mos bënte komente për aleancën PS-LSI dhe zhvillimet e fundit.
“Unë në fakt e kam bërë një distancë që në ditën e parë se çfarë duhet të bëj, sepse e kam shumë të qartë se çfarë është “job description”-i im. Pra detyra ime e punës, është që të jemi një qytet efiçent, i jetueshëm, me sfida demokratike të jashtëzakonshme, një qytet i cili është ndërtuar për 200.000 banorë dhe sot ka 1 milion, dhe një qytet ku besoj kemi disa kritere se si ne masim jetueshmërinë. Po të merresha me politikë të madhe, dikush tjetër do thonte pse merresh me politikë të madhe, në s’kemi çerdhe, kopshte, s’kanë vende kur të luajnë fëmijët. Unë besoj që detyra e kryetarit e bashkisë nuk është të bëjë politikanin e madh, por të bëjë menaxherin e qytetit”- tha Veliaj.
I pyetur se si do ta menaxhojë ndikimin e politikës së madhe tek vendimarrja e Këshillit Bashkiak, ku i duhet votat e LSI-së, ai tha se shkonte shumë mirë me LSI-në, PDIU-në dhe FRD-në e Topit, e gjithashtu kërkonte konsensusin e PD-së.
“Në pjesën më të madhe unë kam një raport të shkëlqyer me LSI-në, me PDIU-në, me FRD-në sepse kam zgjedhur që në koalicionin e Këshillit Bashkiak, dhe e kam kërkuar shumë herë këtë mirëkuptim, duke kuptuar se për çfarë, për emra dëshmorësh do ndahemi. Kështu që në këtë sens gjithmonë jam prirur që të ndërtoj sa më shumë konsensus në vendimarrje. Sepse besoj që publiku vërtet i dha një mandat solid një kryetari bashkie ama kur edhi puna tek këshilli qoftë për të mbajtur edhe këtë kryetar bashkie në një sistem “check and balance”, ia besoi këtë kontroll disa partive. Më rezulton që ende pa mbushur 2 vjet, qyteti ia ka parë hajrin kësaj fryme bashkëpunimi”,-mësohet të ketë thënë Veliaj, shkruan Mapo. (M.D/Shuplaka)