‘’Pse luhet futboll aty’’, kështu e pyesnin Paolo Tramexanin gjatë kohës që vendosi të vinte në Shqipëri si ndihmëstrajner i Kombëtares Shqiptare.
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp ku njoftoi largimin nga pozicioni i trajnerit të Luganos, Tramezani zbuloi se si talleshin të njohurit në Itali me të kur pranoi 6 vite më parë të fillonte punë përkrah De Biazit në kombëtaren shqiptare.
“Nuk kam frikë nga e ardhmja. Nëse do të dëgjoja ata të cilët para se të vija te Lugano më thoshin që nuk ishte klubi i duhur për mua, atëherë sot nuk do të isha këtu. Për të mos folur për 6 vite më parë, para se të shkoja te Shqipëria, kur njerëzit qeshnin me mua dhe më drejtoheshin duke më thënë: ‘Ti je i dëshpëruar! Pse luhet futboll në Shqipëri?’
Megjithatë unë shkova dhe nuk kishte një fushë apo një qendër sportive për t’u stërvitur. Nuk kam frikë sepse mendoj vetëm për të trajnuar dhe për të dhënë maksimumin”, u shpreh ish zv. trajneri i kombëtares shqiptare. (E.K/SHUPLAKA)