Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për lënien në qeli të 30-vjeçares, eduaktores Denida Rexhepi të paktën deri në një vendim të dytë gjyqësor.
Por edukatorja nga ana e saj mohoi kategorikisht dyshimet e Prokurorisë, duke pohuar se nuk kishte dhunuar të miturit që kishte në përkujdesje. Rexhepi ishte mjaft e emocionuar kur foli para togave të zeza.
“Nuk është e vërtetë. Nuk kam ushtruar dhunë ndaj asnjërit prej fëmijëve në kopsht”, ka pohuar ajo nga kafazi i xhamtë i sallës së gjyqit.
Po kështu edhe avokati i saj Altin Shkurti e ka mbrojtur të arrestuarën.
“E mbrojtura prej nesh nuk ka ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj të miturit. Ajo është edukatore e përkushtuar dhe gëzon dashurinë e fëmijëve të kopshtit ku ka ushtruar detyrën. Dy fëmijët kanë qenë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe edukatorja vetëm u ka tërhequr vëmendjen, asgjë më shumë”, është shprehur mbrojtësi, shkruan Panorama.
Sipas prokurorit, nga analizimi paraprak që u është bërë pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së kopshtit, është krijuar dyshim i arsyeshëm se Rexhepi ka konsumuar elementë të veprës penale të “keqtrajtimit të të miturit”. Rexhepi u arestua vetëm pak ditë më parë pas kallzimit të dy prindërve.
(J.V/Shuplaka)