Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur sërish sot për sheshin “Skënderbej”, në përgjigje ndaj “Saliut, Lulit, atij tjetrit me pistoletë”. Ai u shpreh se bienalja e Çikaogos i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që ta prezantojë ajo sheshin “Skënderbej” si një ndër projektet më të mira të infrastrukturës në kohën e sotme.
Sipas kryebashkuakut, sheshi ofron një raport të përmbysur mes sipërfaqes së gjelbëruar dhe asaj të ngurtë. Duke e krahasuar me sheshet e tjera, ai thekson se “sheshi kryesor i Vienës nuk ka asnjë pemë, as sheshi kryesor i Hagës, as sheshi i Amsterdamit, as sheshi i Roterdamit, meqë e kemi nga Holanda, as sheshi San Marco në Venecia nuk ka të mbjellë asnjë pemë, kurse sheshi Skënderbej ka 2200 pemë”.
Erion Veliaj e cilëson si një shesh ekologji, pasi ruan çdo pikë shiu që bie.
“Ende pa u hapur, kemi marrë një ftesë zyrtare nga bienalja e Çikagos, që është një nga bienalet më të mëdha të arkitekturës në botë, për ta prezantuar sheshin “Skënderbej” si një nga projektet më të mira të arkitekturës sot. Kështu që Saliut, Lulit, atij tjetrit me pistoletë, që vajti të prishte lodrat e fëmijëve dhe tani na e kthejnë si deputet, iu them se arsyeja pse jeni të mërzitur është sepse sheshi është bërë kaq i bukur e i madh saqë ju s’keni më as mbështetës me çfarë ta mbushni. Ama, qytetarë të Tiranës, fëmijë që luajnë, gjyshe e gjyshër që do të vijnë të pushojnë aty, do të ketë sa të duash.
Sheshi ka 100 shatërvanë që gurgullojnë ujë gjithë kohën, duke krijuar freskinë e nevojshme. Duke qenë se sheshi ka pendencë, uji zbret në fund, filtrohet dhe del prapë në sipërfaqe. Pra, ruan çdo pikë shiu që bie dhe kjo është hera e parë që kemi një shesh ekologjik.”, shprehet Veliaj.
(XH.A/SHUPLAKA)