Mbyllja e sezonit pa asnjë trofe ka lënë shije të hidhur dhe nuk është kapërdirë ende nga drejtuesit e klubit të Skënderbeut. Tashmë të gjithë janë të fokusuar te merkatoja dhe krijimi i një ekipi sa më kompetitiv dhe të fortë, për t’u rikthyer në fron sezonin e ardhshëm.
Për këtë duket se bordi i klubit Skënderbeu, me në krye presidentin Ardjan Takaj, ka vendosur që të rrisë akoma edhe më shumë buxhetin për sezonin e ardhshëm, me fokusimin e vetëm te merkatoja cilësore.
Pritet kështu që buxheti sezonal i Skënderbeut të rritet më shumë se 35%, duke i kaluar kështu 2 milionë eurot në sezon. Një gjë të tillë e ka bërë me dije ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë presidenti Takaj.
Kreu i klubit theksoi se klubi është i përqendruar te merkatoja dhe për ta bërë sa më të suksesshme hapësirën e blerjeve, do të rrisë me më shumë se 35% buxhetin e klubit. Mësohet se në sezonin e fundit, Skënderbeu ka shpenzuar rreth 1.5 milionë euro, por në vitin me koston më të lartë, nuk arriti të fitonte asgjë.
“Jemi duke u përqendruar te krijimi i një ekipi kompetitiv dhe sa më të fortë për edicionin e ri, me qëllim që të kthehemi në majë duke fituar titullin kampion.
Për këtë arsye, si klub kemi vendosur që të rrisim buxhetin e Skënderbeut me më shumë se 35% të vlerës që kishte buxheti i sezonit të kaluar, që ishte më i madhi në këto sezonet e fundit.
Kjo rritje është bërë me qëllimin që të afrojmë në merkato lojtarë cilësorë, të cilët do të bëjnë diferencën në kampionat. Jemi duke punuar me shumë kujdes dhe përqendrim në këtë drejtim”, theksoi presidenti.
Natyrisht, pas fjalëve të numrit një të ekipit korçar, kuptohet se e gjithë vëmendja është te merkatoja, atje ku shumë emra me peshë janë duke u studiuar nga drejtuesit për të bërë zgjedhjet e duhura.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se në tavolinën e punës së Takajt ndodhen më shumë 30 CV lojtarësh, të cilët po studiohen nga trajneri Daja.
SPONSORËT
I pyetur në lidhje me vizitën e disa biznesmenëve kinezë në ambientet e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë dhe shanseve për të futur aksionerë të rinj në klub, presidenti Takaj nuk ka mohuar asgjë, duke lënë gjithçka të hapur.
“Po, kam qenë në Korçë për të parë nga afër punimet e kompleksit sportiv ‘Skënderbeu’, që është duke ecur me ritme shumë të mira dhe brenda pak kohësh do të kemi një zonë të shkëlqyer sportive që do të na japë ndjesinë e plotë të një ekipi të madh.
Nuk mund të them asgjë tjetër, sepse në këtë moment jemi duke u marrë me forcimin e ekipit për Europën. Më pas, të shohim se çfarë do të bëjmë edhe me gjërat e tjera”, përfundoi presidenti i Skënderbeut, i cili duket se ende nuk është përshtatur me faktin se skuadra e tij ka lënë pas një sezon të dështuar, si asnjëherë në epokën e Ardjan Takajt.
Megjithatë, ai është i bindur se Skënderbeu do të rikthehet në majë, duke filluar me kalimin e disa tureve në Europë dhe titullin kampion. Ky është synimi i klubit për sezonin e ardhshëm, 2017-2018. (B.H/Shuplaka)