Më 8 qershor janë mbyllur aplikimet për të përfituar nga program i Bashkisë së Tiranës për kreditë e buta. Nënkryetarja e kësaj bashkie, Brunilda Paskali, është shprehur për “Gazeta Shqiptare” se interesi ka qenë i lartë, ku konkretisht deri në orën 17:00 numëroheshin 2200 aplikime.
Për përcaktimin e familjeve fituese do të përdoret një formulë pikëzimi që do të ndiqet pas mbylljes së fazës së aplikimeve. Konkretisht, Komisioni i Strehimit do t’i vendosë në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale procesverbalin së bashku me listën e përfundimtare të përfituesve dhe do të hartojë raportin përmbledhës, i cili do t’i paraqitet për miratim kryetarit të bashkisë.
Pas miratimit të listës përfundimtare, ajo do bëhet publike në stendën e buletineve, në faqen e internetit dhe një kopje do i dërgohet bankës së përzgjedhur për vazhdimin e procedurave. Përfituesit e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak, të cilëve rezultojnë përfitues në një program të ndryshëm strehimi në momentin që i akordohet kredia hipotekore nga banka, duhet të paraqesin një deklaratë për heqjen dorë nga njëri prej këtyre programeve. Nëse kjo deklaratë nuk paraqitet brenda një afati 10-ditor, përfituesi i kredituar nga banka humbet të drejtën e përfitimit nga programi tjetër i strehimit.
Shpallja e fituesëve do të bëhet në fund të muajit Qershor përmes një vendimi të Këshillit Bashkiak. Për këtë vit, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion një buxhet prej 97 milionë lekësh apo rreth 1 milion dollarë, për financimin e interesave të kredisë.
(XH.A/SHUPLAKA)