Destinacione tradicionale, pa shumë kokëçarje, që ofrojnë komoditetin e mjaftueshëm. Kjo është ajo çka do t’i karakterizojë pushimet e shqiptarëve jashtë shtëpisë këtë sezon.
Agjencitë turistike janë optimiste për ecurinë e prenotimeve, pavarësisht fushatës zgjedhore e situatës ‘post’ saj.
Caktimi i zgjedhjeve në datë 25 qershor ishte një sinjal pozitiv edhe për agjencitë turistike. Më pak ndikim dhe më shumë kohë në dispozicion për t’u shfrytëzuar. Lajm i mirë është edhe se ritmi i prenotimeve do të jetë më i lartë me fillimin e muajit korrik. Kjo është edhe koha kur administrata, si “blerësja” më e madhe e pushimeve, do të jetë disi më e lirë për të ndërmarrë udhëtime.
Më të preferuarat mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, pra ku gjithçka është e përfshirë.
Janë agjencitë sot që mendojnë për çdo gjë, mjafton që ju të përcaktoni buxhetin dhe të keni ide të qarta.
Tendencat duket se do të mbeten pak a shumë të njëjta, ku kryefjala do të jetë Turqia dhe Greqia. Jashtë vëmendjes nuk do të jenë edhe destinacionet “ekzotike” që preferohen më shumë nga çiftet e reja e më pak edhe kroçerat. Përmendim këtu Spanjën, që vetë drejtuesit e agjencive e veçojnë, duke qenë se është kthyer në një trend të vërtetë në mesin e destinacioneve europiane.
Në listën e të preferuarave janë edhe Budapesti dhe Amsterdami, për shkak të nisjes së fluturimeve nga dy operatorët me kosto të ulët, Wizz Air dhe Transavia Airlines. Ata që janë treguar të shkathët dhe kanë prenotuar që në fillim të vitit kanë mundësi që të shijojë fluturime me çmime më të lira nga sa do të përfitonin aktualisht.
Drejtuesit e agjencive turistike thonë se këto dy destinacione janë përfshirë në axhendën e udhëtarëve shqiptarë, të cilët sërish nuk do të heqin dorë nga fluturimet nga aeroportet simotra të “Nënë Terezës”, siç është ai i Prishtinës apo Shkupit. Në paketat turistike, agjencitë kanë të përfshirë edhe nisjet nga këto aeroporte për destinacione të ndryshme, që nga Tirana do të kushtonin disa herë më shumë.
Ata sërish bëjnë thirrje që të prenotohet herët për të përfituar paketa më të lira. Nëse rezervimi bëhet në pikun e verës, ka vështirësi akomodimi dhe çmimet janë më të larta.
Të rinjtë zgjedhin të organizohen vetë me paketa individuale. Vendet më të preferuara për sezonin veror mbeten plazhet e Turqisë, ishujt e Greqisë, e më pak vendet fqinje si Mali i Zi apo Kroacia.
Çmimet e paketave turistike nuk kanë pësuar ndonjë luhatje të fortë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Turqia këtë vit do të jetë pak më e shtrenjtë se një vit më parë, duke qenë se rusët i janë rikthyer destinacionit të preferuar.
Në listën e dëshirave…
Edhe pse është herët për të bërë parashikime sesi do të shkojë ky sezon sa u përket ofertave jashtë vendit, statistikat e katër muajve të parë të vitit tregojnë tendencë pozitive. Të dhënat e INSTAT treguan se numri i shtetasve shqiptarë, të cilët dolën nga territori i vendit tonë në periudhën janar – prill 2017, ishte rreth 6% më i lartë krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm për muajin prill, ky numër arriti në 429,126, ose 17.3% më shumë krahasuar me muajin prill 2016.
Një shtysë pozitive për udhëtime jashtë është edhe nisja e fluturimeve nga dy shoqëritë me kosto të ulët të fluturimeve ajrore, që do t’i japin më shumë frymëmarrje këtij tregu.
Destinacion tjetër, disi më ekzotik, është Palma de Majorka. Vizitohet nga më shumë se 10 milionë persona në vit. Plazhet e bardha, klima e ngrohtë mesdhetare dhe gatimet tipike spanjolle e bëjnë këtë vend shumë të pëlqyer edhe nga shqiptarët.
1,000 ishujt koralorë që përbëjnë Republikën e Maldives mund të jenë zgjedhja ideale për personat që pëlqejnë zhytjen dhe sportet e tjera ujore. Për nisjet deri në fund të muajit maj, për 7 ditë, ofertat nisin nga rreth 360 euro. Por do t’ju duhet të udhëtoni me autobus.
Vera zbeh disi interesin për turet kulturore, pasi siç shprehen edhe drejtuesit e agjencive turistike ato tërheqin më shumë në pranverë.
Por, edhe në këtë rast, paketat nuk mungojnë.
Parisi mund të vizohet duke filluar nga 399 euro, Costa Brava në Spanjë (8 ditë, mëngjes dhe darkë) duke filluar po nga 399 euro, por me nisje nga Shkupi; Stambolli mund të vizitohet duke filluar nga 219 euro për person për katër ditë; Amsterdami me 4 ditë qëndrim mund të vizitohet për 344 euro/personi me nisje direkt nga Tirana. Por, mund të zgjidhni të shkoni edhe në Moskë, ku 6 ditë do t’ju kushtojnë duke filluar nga 699 euro për person me nisje nga Podgorica e Malit të Zi. Nga agjencitë turistike, Budapesti ofrohet duke filluar nga 299 euro për 4 ditë, por me udhëtim me autobus.
Ndryshe nga dy vite me parë, Sharm el Sheikh nuk do të jetë ndër preferencat e shqiptarëve. Shkak është situata e vështirë që po kalon Egjipti. Janë kryesisht oferta të tipit “ultra all inclusive” me 7 net qëndrime.
Kostot
-Parisi mund të vizohet duke filluar nga 399 euro,
-Costa Brava në Spanjë (8 ditë, mëngjes dhe darkë) duke filluar po nga 399 euro, por me nisje nga Shkupi;
-Stambolli mund të vizitohet duke filluar nga 219 euro për person për katër ditë;
-Amsterdami me 4 ditë qëndrim mund të vizitohet për 344 euro/personi me nisje direkt nga Tirana.
-Mund të zgjidhni të shkoni edhe në Moskë, ku 6 ditë do t’ju kushtojnë duke filluar nga 699 euro për person me nisje nga Podgorica e Malit të Zi.
-Nga agjencitë turistike, Budapesti ofrohet duke filluar nga 299 euro për 4 ditë, por me udhëtim me autobus./ Revista Monitor
(XH.A/SHUPLAKA)