Pas reagimit këtë mëngjes të Blushit për padinë për shpifje të ngritur nga ish-ministrja Lindita Nikolla ndaj tij, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Duke lënë mënjanë përkohësisht kundërshtarin politik Lulzim Basha, memen e sotme Rama ia ka kushtuar Blushit, të cilin e ka shënjestruar pas padisë që ish-ministrja e tij ngriti një ditë më parë. Me ironinë karakteristike, Rama shprehet që në fillim për Blushin se kur e njeh është për të qeshur dhe kur e kupton kush është, është për të qarë.
Më tej, ai na prezanton me “profilin e vërtetë të këtij shitësi gënjeshtrash”, siç shprehet Rama, i cili ndërfut komplet deklaratën e djeshme të Nikollës mbi padinë.
Reagimi i Edi Ramës:
Për të qeshur kur e njeh dhe për të qarë kur e merr vesh kush është…
Që kush nuk e njeh të mos qajë kur ta marrë vesh kujt (largqoftë) i dha votën pa e njohur, ja ku është profili i këtij shitësi gënjeshtrash, shkruar me vërtetësi të plotë nga Lindita Nikolla:
Dua t’ju bëj me dije se sot kam nisur procedurën e padisë për shpifje për Ben Blushin. Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist, derisa ai të marrë dënimin e merituar në gjykatë. U bë e disata herë që njeriu më parazit që kam njohur në jetën time, më sulmon paturpësisht me gojën e tij të shthurur nga ligësia e mediokritetit.
Një karrierist i llastuar nga jeta, që tri herë u bë ministër dhe tri herë u largua nga detyra pa bërë asnjë punë, nuk mund të shitet sot si politikë e re, pas 20 vitesh në korridoret e pushtetit. Një personazh i pangopur, që i kërkonte ministrave “mediokër” të Edi Ramës, favore.
Kur ky njeri e pa që nuk i’u hapën dyert për çudirat që kërkonte, me ngulmin e njeriut parimor, filloi sulmin e mllefit kundër Edi Ramës dhe ministrave “mediokër”. Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore këtë njeri që sot e gjithë kohën do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit, si ministri i arrogancës dhe asgjësë.
Ky gojëlig që shantazhonte kolegët për të nxjerrë, siç e quan edhe vetë pa pikën e turpit, fitimet nga aksionet e veta politike, nuk mund të jetë destinacion për besimin e votuesve që nuk e njohin. Ky njeri ka krijuar partinë e vogël fitimprurëse të radhës, duke premtuar Republikën e Re. Ky farë burri, pa din e iman, meriton jo vetëm që të mos i jepet asnjë votë, por, gjithashtu, edhe dënim për shpifjet e tij për shkak të detyrës.
Demaskimi i këtij paraziti ekzemplar të jetës publike është një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që njësoj si ne, kur nuk e njohin se çfarë marifetçiu i paskrupullt është, mund të bien pre e shpellës së errët të gojës së tij të ligë.
(XH.A/SHUPLAKA)