Janë shpallur në kërkim dy vëllezërit e Agim Dakës, i cili dyshohet se u vetëvra në zyrën e Artan Cukut kur ai ishte në krye të Policisë së Vlorës. Konkretisht, janë shpallur në kërkim Bujar dhe Florian Daka, të cilët dyshohet të jenë edhe porositësit e vrasjes.
Burime të policisë bëjnë me dije se shkuan në banesën e tyre për t’i pyetur lidhur me ekzekutimin, por nuk i ka gjetur. Ata dyshohet të jenë larguar ilegalisht nga Shqipëria.
Vëllai i dy të dyshuarve që qëndrojnë pas atentatit, u vetëvra pas 11 orësh në polici disa vite më parë, duke përdorur armën e ish-kryekomisarit Artan Cuku. 25-vjeçari nga Shkodra, në Mars të vitit 2005, u shoqërua në zyrat e policisë pas ngjashmërisë së madhe që kishte me të vëllanë Bujar Daka, i arratisur nga policia e Shkodrës.
Shpallja e tyre në kërkim vjen një ditë pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes së ish-kryekomisatit në prill të këtij viti. Pas vrasjes së Cukut rreth dy muaj më parë, familjarë të Agim Dakës hodhën poshtë dyshimet se qëndronin pas vrasjes së ish-kryekomisarit, çështje që sipas tyre ishte zgjidhur me faljen e gjakut.
(XH.A/SHUPLAKA)