Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Ali Ahmeti i BDI-së janë takuar në Tetovë.
Sipas tyre në takim u diskutua harmonizimi i qëndrimeve të dy forcave politike për të punuar në interes të shqiptarëve.
BDI si parti në pusht dhe PDSH si parti në opozitë duhet t’i harmonizojnë marrëdhëniet dhe të bashkëpunojnë për zbatimin sa më të shpejtë të marrëveshjes së Përzhinos, e cila është një nga kushtet për Maqedoninë që të bashkohet në NATO dhe BE. Pikërisht për këtë marrëveshje u takuan mbrëmë dy liderët shqiptar.
“Asgjë sonte nuk ndodhi nën tavolinë, mbështetjen që ia japim BDI-së është një mbështetje e plotë pasi që duam që sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, kurse kjo pa realizimin e marrëveshjes së Përzhinos nuk është e mundur. Nuk do të thotë se nëse i kemi humbur zgjedhjet, nuk duhet që të jemi konstruktiv”, ka thënë Menduh Thaçi.
Ai ka mohuar që pjesë e bisedimeve të ketë qenë ndonjë marrëveshje që të hyjë në qeverinë e re.
Ali Ahmeti deklaroi se këto takime duhet të ndodhin edhe në vijimësi për t’i kordinuar më mirë punët për realizimin e marrëveshjes.
“Mbetet që edhe në të ardhmen që këto takime në vazhdimësi të mbahen dhe të shohim se si t’i koordinojmë edhe më mirë punët që më me lehtësi të arrijmë te realizimi i pikave të kësaj marrëveshje”, tha ai. (B.H/Shuplaka)