Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, ka zhvilluar një takim me kreun e OSBE/ODIHR-it në vendin tonë, Peter Tejler dhe zëvendëskreun e këtij misioni, Polyna Lemos. Në këtë takim, ai informoi mbi planin e masave për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 qershorit ku mbi 7.000 efektivë të POlicisë së Shtetit do të jenë të angazhuar.
Ai bëri me dije edhe se janë dhënë porosi të veçanta për tri drejtori vendore në nivel qarku, që do kenë në vëmendje neutralizimin e problematikave nga subjektet, individët dhe grupet kriminale.
Më tej, Demiraj garantoi mbështetje të plotë për misionin vëzhgues të OSBE-ODHIR dhe vuri në dukje garantimin e një procesi zgjedhor të sigurt, mospërfshirjen e Policisë në fushatë dhe ditën e zgjedhjeve, si dhe neutralizimin e mundësisë së blerjes së votës nga burime të paqarta, që mbetet prioriteti kryesor.
Ai informoi ambasadorin Tejler për sfidën e misionit të tij për shkak të situatës së krijuar gjatë viteve të fundit në Policinë e Shtetit dhe kontaminimit të një pjese të trupës policore në mosveprim apo përfshirje në kultivimin masiv të kanabisit gjatë vitit të kaluar.
(XH.A/SHUPLAKA)