Në konferencën e sotme për shtyp, ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta, hodhi akuza ndaj kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako, për të cilin u shpreh se nuk duhet të përdorë më policinë përmes inskenimeve mafioze tipike dhe segmenteve që e drejtojnë atë.
Meta u shpreh se i ka dërguar një mesazh Edi Ramës për “Haki Drogën” dhe mbi aleancën errësirë që synohet t’u imponohet shqiptarëve.
Por pavarësisht cilësimit dhe akuzave të Metës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka reaguar, por ka vazhduar me axhendën e tij, kryesisht me prezantimin e grupit të drejtimit për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor.
“Këtu jemi në qendrën e koordinimit dhe të mbikëqyrjes të masave për procesin zgjedhor të datës 25 Qershor për në Kuvendin e Shqipërisë dhe sot gjej rastin të shpalos një sërë masash të Policisë në kuadër të Kodit Zgjedhor, të Kushtetutës dhe të udhëzimit të Kodit Zgjedhor të zgjedhjeve Masat dhe angazhimi i Policisë ka qenë dhe mbetet i gjithanshëm qoftë i strukturave qendrore qoftë edhe i strukturave vendore, të cilat në bashkëveprim dhe në bashkërendim të ngushtë me të gjithë operatorët dhe faktorët e tjerë të cilët menaxhojnë dhe funksionojnë në terren për procesin zgjedhor janë të angazhuar gjatë gjithë kohës. Falënderoj OSCE-në, për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit në zbatimin korrekt të detyrave dhe në ndjekjen rigoroze të të gjitha akteve normative që normojnë punën e Policisë së Shtetit, për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm të gjithë shtetasve shqiptarë për procesin zgjedhor.”, u shpreh ai në fjalën e tij.
(XH.A/SHUPLAKA)