Fatos Tarifa, rector i një prej universiteteve private në vend, ka reaguar së fundmi lidhur me denoncimin e rektorit dixhital tek Berisha dhe kërkesën e këtij të fundit drejtuar ministres së Arsimit për shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Plarent Ndreca.
Duke e akuzuar atë për “presion kriminal mbi rektorët e universiteteve”m Berisha shprehej mbi atë që e kishte informuar rektori dixhtal për çfarë kishte në konferencën e rektorëve.
Në reagimin e tij, Fatos Tarifa përqëndrohet tek Berisha aq sa dhe rektori dixhital. Ai shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon ende të sillet sikur është ende në pushtet: “Nuk dëshiroj të merrem me statusin e z. Berisha në Facebook. Atij aq i thanë, aq tha. Ajo që më habit është se, ky njeri, edhe sot, kur nuk është më as president, as kryeministër i këtij vendi, siç ka qenë për 13 vite me radhë, dhe as kryetar i partisë më të madhe opozitare sot, siç ka qenë për afro njëçerek shekulli, vazhdon të sillet sikur të ishte në pushtet, duke urdhëruar një ministre që të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm të dikasterit të saj, duke bërë presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme dhe mbi institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.”
Duke u ndalur më pas tek rektori dixhital, në reagimin e tij të botuar tek gazeta “Dita”, ai shpreh habinë se si një rektor, një njeri që supozohet të jetë intelektual, i “qahet” një ish-kryeministri, madje duke e mashtruar atë në mënyrën më të paskrupullt.
“Mua e gjitha kjo më duket si një gjëndje orëelliane, një realitet i frikshëm dhe ogurzi për një shoqëri që pretendon të jetë e hapur e demokratike. Prandaj, këtu dua të merrem me “rektorin dixhital” dhe do të kisha dashur të debatoja me të hapur e ballë për ballë, madje publikisht. Do të kisha dashur, pra, të debatoja me individin, me profesorin, me rektorin që ai përfaqëson dhe jo me një hije që i ngjan hafijeve të dikurshme të Sigurimit të Shtetit, apo një agjenti të Stasit apo të KGB-së. Por, ngaqë ky individ nuk ma jep këtë mundësi, pasi ai ekziston vetëm në hije e fshehtësi, në cyberspace dhe jo në hapësirën publike në të cilën jetojmë e veprojmë, detyrohem t’i drejtohem atij në vetë të dytë, me “ju”, cilido qoftë ai.”, shprehet ai.
(XH.A/SHUPLAKA)