Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe ambasadat e vendeve të BE përmes një deklarate të publikuar në webfaqen e saj zyrtare kanë bërë thirrje që autoritetet shqiptare të nisin me verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si pjesë e paketës së reformës në drejtësi.
Deklarata:
Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE dhe Delegacioni i BE në Tiranë i bëjnë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse që t’i përmbahen angazhimit të tyre të plotë ndaj zbatimit të Reformës së Drejtësisë, e cila u votua njëzëri në Parlamentin shqiptar pothuajse një vit më parë. Duhet të fillojë verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashihet në legjislacionin që tashmë është shqyrtuar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. BE kujton se përparimi i besueshëm dhe i prekshëm në të pesë prioritetet kyçe, zbatimi i Reformës së Drejtësisë dhe në veçanti verifikimi, janë thelbësore për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.
(M.D/Shuplaka)