Ministria e Arsimit dhe Sportit që drejtohet nga ministrja teknike Karabina denoncon raste të tjera të përfshirjes së zyrtarëve të arsimit dhe mësuesve në fushatë.
MAS që publikon dhe 6 emra thotë se ata kanë ushtruar presion tek nxënësit dhe mësuesit.
“Mbi bazën e informacioneve të raportuara, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar përfshirjen e disa drejtuesve e punonjësve arsimorë në fushatën elektorale, duke ushtruar presion në forma të ndryshme tek nxënësit dhe mësuesit dhe është duke bërë verifikimet e duhura mbi bazën e përcaktimeve ligjore, për personat e poshtëshënuar:
– Gëzim Dema, Drejtor Shkolle në Iballë, Fushë Arrëz
– Fadil Cenia, Drejtor Shkolle, Gramsh
– Artur Malbuqaj, mësues Iballë, Fushë Arrëz
– Kristi Dhori, sekretare pranë gjimnazit, Ersekë
– Shpëtim Meta, mësues Iballë, Fushë Arrëz
– Luljeta Brace Katundi, mësuese, Maliq
Ministria e Arsimit dhe Sportit në respektim të të drejtave Kushtetuese dhe në vijim të deklaratave zyrtare te Departamentit të Administratës Publike mbetet e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore të përcaktuara për mbarëvajtjen e procesit mësimor si dhe të drejtat e nëpunësve civilë përgjatë fushatës zgjedhore duke respektuar rregullat e sjelljes dhe të veprimtarisë brenda afateve kohorë të përcaktuar për të gjithë nëpunësit dhe drejtuesit”, thuhet në njoftimin e MAS.
Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron se do të vijojë monitorimin e të gjithë institucioneve për të garantuar respektimin e të drejtave politike të nëpunësve civilë si dhe zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore.