Portugalia dhe Meksika kanë ndarë nga një pikë në barazimin 2-2 mes tyre në Kupën e Konfederatave, në një ndeshje mjaft interesante që ka dhuruar emocione të shumta, por edhe episode të cilat janë zgjidhur falë përdorimit të VAR, video-asistentit që po testohet në këtë turne.
Që në minutën ë 20-të, Portugalia gjeti golin me anë të Nani, pasi Ronaldo kishte goditur traversën, por gjyqtari argjentinas Pitana, pas përdorimit të përsëritjes video, e anuloi atë me të drejtë pasi futbollisti kishte qenë në pozicion jashtë loje.
Goli i “vërtetë” i Portugalisë u shënua pak minuta më vonë, me protagonistë Ronaldon dhe Kuarezman, ku ky i fundit finalizoi saktësisht një pasim perfekt të kapitenit.
Por Kampionët e Europës nuk shkuan dot në avantazh në pushimin e ndeshjes, pasi Çiçarito Hernandez, me një gjuajtje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë.
Pjesa e dytë ishte me ritëm më të ulët, për t’u ndezur vetëm në fundin e saj. Sedrik arriti të kthente Portugalinë në avantazh kur mbeteshin vetëm 4 minuta loja, gol të cilin gjyqtari e zyrtarizoi vetëm pasi mori konfirmimin nga asistentët e VAR.
Megjithatë, Meksika arriti të siguronte një pikë nga kjo ndeshje e parë në turne duke shënuar me Hektor Morenon në minutën e parë shtesë të ndeshjes së Grupit A që tani kryesohet nga Rusia.