Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i ka bërë thirrje sot 18 subjekteve zgjedhore të rregjistruara në KQZ dhe që marrin pjesë në zgjedhje, që të kryejnë një transparencë financiare.
Më e pakta që KVV kërkon është deklarimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për fushatën, ndërsa i bëhet gjithashtu thirrje qytetarëve që të përpiqen të shkëputen e t’i qëndrojnë larg demagogjisë së politikës së ditës dhe retorikës elektorale.
Kjo konferencë u mbajt në vazhdimësi të veprimtarisë dhe rolit “Watchdog” si dhe në kuadër të aksionit të monitorimit të Zgjedhjeve të Përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë të 25 Qershorit 2017.
Kërkesat e KVV:
1-Të 18 subjektet zgjedhore, së paku si provë vullneti, të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e detajuara për zhvillimin e kësaj fushate zgjedhore përpara ditës së votimit.
2-Të gjithë Kandidatët e të 18 Subjekteve Zgjedhore të deklarojnë përpara ditës së votimit gjendjen e tyre financiare, ku të përfshihen burimet e të ardhurave, asetet materiale dhe detyrimet që ata shlyejnë sipas legjislacionit tatimor.
3-Në një situatë kritike për Integritetin e të Zgjedhurve, të vlerësuar nga vetë klasa politike si të tillë, mbetet në përgjegjësinë e lidershipeve politike që të provohet se kjo gjendje është eventualitet i një realiteti demokratik në zhvillim dhe jo e një vullneti vertikal.
4-Përtej detyrimeve ligjore, është përgjegjësi e Lidershipit Politik, si një vullnet dhe moral i qartë politik, të vërë në dijeni dhe të sigurojë zgjedhësit se Reformat Madhore që do të ndërmerren nuk do të kryhen nga figura të kapura nga interesa të dyshimta ende pa u zgjedhur.
5-I bëhet thirrje Qytetarëve që të përpiqen të shkëputen e t’i qendrojnë larg demagogjisë së politikës së ditës dhe retorikës elektorale. Përpara se të shkojnë në kutitë e votimit, ata duhet të ndërgjegjësohen për integritetin e kandidatëve dhe të subjekteve që do të votojnë, duke patur një gjykim objektiv e largpamës, pasi janë pikërisht këta kandidatë, të kontraktuarit e tyre publik për qeverisjen e vendit dhe të së ardhmes së tyre. (D.D/Shuplaka)