Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga fushata e këtyre zgjedhjeve duket se tonet janë ngritur mjaft. Kryeministri Rama e ka ndarë mendjen: koalicion me këdo po jo me LSI-në, zero shanse.
Ndërkohë që i pyetur nga gazetari Bashkim Hoxha në studion e mëngjesit edhe ish-kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh se një koalicion PS-LSI me Edi Ramën nuk ka për të ndodhur më.
Meta vijoi më tej duke thënë se nuk ka qenë LSI ajo që i ka shkuar nga pas pushtetit, por ka qenë pushteti që ka pasur në nevojë për LSI-në.
“Zoti Rama nuk e mbështet qeverisjen e tij te njerëzit po vetëm te pushteti i tij. Ai e ushtron pushtetin vetëm përmes pengmarrjes së kundërshtarëve, të medias, të administratës, të policisë. Po ky është një sistem i vjetër. Askush nuk ka më frikë nga zoti Rama, ai ka tmerr nga vota e lirë.
Nuk është LSI-ja që ka ikur pas pushtetit, ka qenë pushteti që ka ardhur pas LSI-së. Zoti Rama ka thënë një gjë të vërtetë që nuk do të jetë më me LSI-në, pasi nuk do më LSI-ja që të jetë me të. Megjithatë ka një shans për Partinë Socialiste. Nuk ka diskutim që LSI-ja do të jetë në qeverisje”, u shpreh Meta.
(E.K/SHUPLAKA)