Edhe tri ditë na ndajnë nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit. Ndërkohë që krerët e partive që kandidojnë kanë nisur tashmë takimet përmbyllëse në qarqe të ndryshme të vendit, tri mitingje janë njoftuar se do të zhvillohen brenda ditës së sotme nga parti të ndryshme politike.
Partia Socialiste me në krye Edi Ramën do të zhvillojë sot mitingun në sheshin “Nënë Tereza”, i cili do të paraprijë atë finalin e planifikuar në qytetin e Vlorës ku Edi Rama kandidon për deputet. Kujtojmë se fiks një javë më parë, ishte Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila zhvilloi një miting madhështor në këtë shesh.
Ndërkaq, sikundër bëri të ditur dje ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë sot në qytetin bregdetar të Durrësit. Ai ftoi të gjithë që t’i bashkohen sot mitingut të parafundit, pëpara atij të Fierit.
Partia e tretë që do të mbajë sot mitingun përmbyllës është LIBRA e Ben Blushit. Mitingu i saj është parashikuar të zhvillohet në pedonale, rruga “Murat Toptani” në orën 18:00 të kësaj të enjteje.
(XH.A/SHUPLAKA)