Nga Entela Resuli – DITA
Prej më shumë se një muaji jemi në fushatë elektorale. Ditën e diel vendi shkon në zgjedhje parlamentare. Për nga mënyra se si dërgohet mesazhi te publiku diçka ka ndryshuar në fushatën e këtij viti. Strategjia e komunikimit ka ardhur në një formë tjetër.
Nuk ka më as mitingje, as koncerte madhështore, as postera elektoralë që të dilnin përpara kudo. Mungojnë grupet e këngëtarëve që bëheshin pjesë e skuadrës së një partie të caktuar. Ka më shumë puthje e përqafime të politikanëve me njerëz të thjeshtë.
Foto me fëmijët dhe të moshuarit janë ato që shpërndahen me tepër nga Facebook-u i tyre. Takimet në familje tradicionale, me ndonjë teke raki përpara, duke u sjellë si njerëz të shtëpisë janë parë shpesh në këtë fushatë.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar spoteve të cilët transmetojnë një mesazh elektoral. Kryeministri është kujdesur më shumë në këtë drejtim, i cili njëherë shfaqet si “polic” që nuk toleron shkelësit e ligjit me dëshirën për të bërë shtet dhe një spot tjetër e tregon atë në mundimin e sipër për të tërhequr litarin drejt Shqipërisë që duam.
Por i vetëm në përpjekjen e parë ai nuk ia del dot si për të treguar se ka nevojë për të gjithë, që drejtimin Shqipërisë ia japim të gjithë bashkë.
Lulzim Basha, është munduar më shumë në këto spote të tregoi se ku ka përfunduar studimet dhe ku e ka njohur bashkëshorten!
Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim është mbështetur te mesazhet e të rinjve, duke bërë thirrje me zërin e tyre se përse duhet votuar kjo forcë politike.
Por për mos të mbetur te spotet, ne jemi munduar që me anë të specialistëve të komunikimit dhe të medias ta shohim në disa kënde këtë fushatë e cila është në ditët e fundit të saj.
Sot në Dita kemi marrë mendimin e Valbona Sulçes, gazetare dhe specialiste për Median, Ervin Gocit, pedagog në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe Afrim Krasniqit, politolog.
VALBONA SULÇE
Po ta shohim edhe nga mënyra se si organizohen takimet, podiumi është në formën e skenave të teatrit. Në të qëndron lideri dhe të tjerët dëgjojnë… ka më shumë teatër kohët e fundit apo kështu ka qenë?
Është modernizuar pak më shumë skena, është sofistikuar forma në ngjashmëri me modelet perëndimore. Formati “town hall” ose “Mbledhjet e qytetit” përdoret që të përcillet mesazhi i afrisë me njerëzit. Në fakt, do të duhej që në fushatë politikanët të dëgjonin njerëzit dhe jo e kundërta. Por mesazhi nuk është për njerëzit që shkojnë në takime. Është për të tjerët që i ndjekin nga televizori dhe për kundërshtarët. Është e gjitha një butafori në funksion të një mesazhi. Me humor u them që ta shijojnë se është e vetmja herë kur qytetarët rrinë ulur dhe lideri në këmbë. Pas zgjedhjeve, zakonisht është e kundërta.
Një gjë që vëmë re është se liderët politikë flasin për gjithçka, por jo për një program konkret. Pse ndodh kjo?
Nuk është se nuk kanë program, thjesht nuk e nxjerrin në pah. Dhe nga ana tjetër, është e pamundur të dallosh programin në fjalën e një lideri që ka shkuar të mobilizojë mbështetësit, duke premtuar gjëra konkrete. Këtë mund ta bëjnë vetëm gazetarët dhe përballja mediatike e udhëheqësve që deri tani është refuzuar. Ka një përpjekje për të folur për programet ekonomike, turizmin dhe bujqësinë të partive, por këto bëhen nga ekspertë të rangut të ulët dhe jo nga kryetarët e partive. Nga ana tjetër, mbizotërojnë sloganet që nuk thonë asgjë për drejtimin që do të marrë vendi. Po pres ende të dëgjoj programet për arsimin, shëndetësinë, teknologjinë e informacionit, infrastrukturën, mjedisin. Ndoshta i kanë lënë për në ditët e fundit, nuk i dihet.
Si i sheh gratë e renditura në lista dhe mendon se është respektuar kuota?
Respektimi i kuotës nuk është çështje perceptimi, është çështje faktesh. Dhe faktet thonë që partitë kryesore nuk e kanë respektuar kuotën. KQZ i ka gjobitur. Në këtë kuptim, ka një hap prapa lidhur me përfaqësimin e grave në politikë. Por shqetësuese është diçka tjetër. Retorika që përdoret kundër grave në këtë fushatë është e papranueshme. Përveçse i lanë në fund të listave, u thanë që “po polle”, s’ke punë në politikë. Pastaj i përgojuan si “vajza korridoresh”. Edhe kur shajnë njëri-tjetrin, thonë si “femra të përdorura”. Pse, pak burra të përdorur ka, që duhet ta marrin krahasimin nga gjinia jonë? Ku shkoi përgjërimi për barazi gjinore i partive politike? Barazia gjinore nuk është vetëm numra dhe lista, por edhe gjuhë. Barazia gjinore nuk është vetëm për gratë e partisë tënde, por për të gjitha gratë dhe vajzat në politikë. Fushatë më të keqe për figurën e grave nuk kam parë! Megjithatë gratë dhe vajzat që kandidojnë për deputete i shoh më të angazhuara se kurrë, pavarësisht vendit që kanë në lista. Kjo është një provë për integritetin e tyre dhe uroj shumë që t’ia dalin!
Në këtë fushatë është folur shumë edhe për veshjen, sidomos për atë të kryeministrit Edi Rama. Mënyra e të veshurit flet në vetvete?
Sigurisht që flet, por është brenda stilit personal të të bërit fushatë. Është formë, jo përmbajtje.
Pse duhet të merret media kaq shumë me të, është e rëndësishme?
Është çështje zgjedhjeje. Sipas udhëzuesve, tre janë gjërat me të cilat duhet të merret gazetari/ja në fushatë: partitë dhe kandidatët, programet elektorale dhe procesi i votimit.
Megjithatë një gjë pozitive e ka patur kjo fushatë, posterat që na ndotnin muret dhe pemët, e ndani edhe ju këtë mendim?
Nuk e kanë bërë se u dhimbset boja dhe letra, por sepse jetojmë në kohëra virtuale. Gjithçka zhvillohet në rrjet dhe në media. Nëse doni ta quajmë pozitive, e quajmë.
ERVIN GOCI
Ervin, jemi në ditët e fundit të fushatës elektorale, në sytë tuaj, ka qenë e qetë apo…?
Mendoj se fushata është e ndarë në dy pjesë: ajo para marrëveshjes së 18 Majit, dhe fushata pas marrëveshjes. Ajo marrëveshje, nga një marrëveshje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mori përmasat e një marrëveshjeje politike, që mesa kuptohet së jashtmi, do të vazhdojë pas zgjedhjeve, drejt një koalicioni mes partive të mëdha. Publiku nuk ishte i përgatitur për këtë, dhe sigurisht që e ka pak të vështirë që të kuptojë deri në fund pozicionet e partive. Të gjitha fuqitë komunikative janë përqendruar këtu, me lojëra simbolike, për të legjitimuar situatën e re. Kjo mendoj se i ndryshoi të gjitha skenarët e një fushate tipike që jemi mësuar të shohim këto 25 vite, dhe kodi i fshehur i ndërtuar mes forcave më të mëdha, sigurisht që e ka çtensionuar situatën. Por nuk duhet neglizhuar transformimi rrënjësor politik në pozicionin e të tretëve, të cilët duke e ndjerë veten të përjashtuar, janë angazhuar maksimalisht që të dalin sa më pak të dëmtuar nga këto zgjedhje, dhe kjo sigurisht që ka rritur tensionet, të cilat në momente të caktuara mund të kthehen shqetësuese.
Sa teatrale është fushata?
Kështu ka qenë gjithmonë, me veçantinë se aktorët politikë, po bëjnë aktorët e vetvetes. Për të justifikuar akrobacirat e tyre politike, kanë thyer kodet tradicionale të komunikimit, dhe për shembull kryetari i mazhorancës i drejtohet publikut demokrat ndërkohë që para ka publikun socialist, ose anasjelltas. Mbizotërojnë shakatë dhe notat ironike, sa herë që flitet për kundërshtarin, aq sa nuk kuptohet më nëse po flitet për një kundërshtar apo aleat politik.
Z.Rama ka ndërtuar një projeksion, ai bën një përfaqësim të vetvetes, duke e komunikuar pozicionin zyrtar në nivel krejtësisht personal, madje dhe duke iu drejtuar Kryetarit të Opozitës në nivel personal. Kështu ofuskohet, i gjithë kaosi i krijuar në publik në pozicionet klasike politike, që si normë duhet t`i shihte në këto momente në një luftë të ashpër politike. Si mund të ketë zgjedhje politike mes rivalësh, të cilët janë marrë vesh paraprakisht për bashkëqeverisje?
Nga njëra anë ata duhet të godasin njëri-tjetrin për konvencion, nga ana tjetër, nuk mund ta godasin shumë, sepse duan të justifikojnë një marrëveshje të mundshme paszgjedhore. Ajo që i bashkon është armiku i përbashkët, që është LSI. Fabula është e kompletuar.
Po programet ku janë në këtë fushatë. Është folur për gjithçka, vetëm për programe jo?
Ata nuk kanë programe, sepse programet ndërtohen në kushtet e një rivaliteti ideor mes atyre që kanë pushtetin, dhe atyre që e aspirojnë. Zakonisht programet lindin në situata rivaliteti, dhe kur partitë i kanë përqendruar energjitë e tyre, për të prodhuar alternativa qeverisjeje. Opozita ka qenë e angazhuar në tranzicionin e lidershipi-t, ndërsa mendoj se mazhorancës, nuk i intereson të flitet shumë për programe, sepse të flasësh për programe do të thotë të ballafaqohesh me qeverisjen në mandatin që sapo u mbyll. Fabula e mazhorancës, është që reformat e tyre, nuk mund të mbylleshin me një mandat, prandaj kërkohet një i dytë, që timonin e qeverisjes ta kenë vetë.
Me këtë justifikohet dhe vendimmarrja e shkuar, duke amortizuar presionin për alternativa të reja programore, që do të kërkonte energji të reja, dhe sidomos një lidership të rinovuar mbështetur mbi ide të reja programore. Jeta politike në tërësi, është aq shumë e lidhur me aktualitetin e ditës, sa është e vështirë që njësi të caktuara të partive politike, të punojnë për propozimin, apo riformatimin e programeve.
Një vëmendje të veçantë në këtë fushatë ka marrë edhe veshja e kryeministrit Rama…
Z.Rama ka prodhuar parabolën e radhës, një rishpikje të vetvetes, një projeksion metaforik të figurës së vet, bazuar më tepër tek natyra personale, se sa tek figura zyrtare. Mendoj se interesi i tij, është që ta zhdukë “Edi Ramën”, si Kryeministër, dhe për një muaj a dy, të ripropozojë një figurë të shpenguar, që dhe me pushtetin ka një marrëdhënie sportive, aspak emocionale, me këtë rast njerëzit e kanë dhe më të vështirë që të lidhin figurën e rishpikur të nuancuar si një figurë e animuar, me pakënaqësitë që mund të kenë patur nga “Edi Rama”. Sa herë që publiku do kërkojë përgjegjësin e një vendimmarrjeje të gabuar, do gjejë një person tjetër, një njeri sportiv, që del me tuta, i gjindshëm me këdo, i cili me batutën e radhës, do kapërcejë nga situata komike në tjetrën. Mua më duket e gjitha një taktikë shumë e gjetur, një instrument i komunikimit politik, si efekt special shpërqendrues, por pa përmbajtjen politike që duhet të kishte si komunikim me publikun.
Pse duhet të merret mediat kaq shumë me të, është e rëndësishme?
Në fakt është ai, historikisht, që është marrë me mediat. Në kohë fushate ai mësyn me gjithë fuqinë e tij komunikative, dhe krijon një intensitet të caktuar shumë strategjik, në mënyrë që qoftë dhe duke përsëritur të ngjisë në publik mesazhet e veta, ose më shumë se mesazhet, përjetimet që do të kalojë në mendjen e publikut. Në këtë fushatë intensive, ka kapërcyer të gjitha mëritë, pakënaqësitë, madje dhe veten e prezanton si një “dikush” tjetër – në parabolën e viktimës – që dikush e ka urdhëruar t`i bëjë këto gjëra, duke krijuar një fije lidhëse legjitimuese mes atij refraktarit që ishte, dhe këtij të riut sportiv që nuk prish qejf me njeri. E gjitha kjo është shumë strategjike, sepse ai nuk ka asnjë interes, që të flitet qoftë dhe një fjali për qeverisjen e tij, madje po të shihet retorika e tij të duket herëpashere, sikur nuk ka qenë ai këto katër vjet në pushtet, por dikush tjetër. Për të prodhuar këtë imazh të ri, i duhet intensitet, komunikimi në të gjithë ekranet e mundshme, mundësisht në ato ku ka spektakël, dhe talk-show të karakterit zbavitës.
Shumë vëmendje po marrin edhe sondazhet. Sa të besueshme dhe rëndësishme janë në këto ditë?
Sondazhet, derisa nuk bëhen nga agjenci autoritare, tërësisht të shkëputura nga aktorë politikë, mediatikë, apo individë, gjithmonë do të shoqërohen me polemika, me kundëralternativa – njëfarë zhurme mediatike, për t`a sfumuar rezultatin që mund të kishte një efekt të caktuar angazhues ose deprimues në elektorat.
Në një vend normal, me qendra kërkimore autoritare, një parti nuk do të merrej duke sulmuar agjencinë, apo rezultatin, po do të merrej si të ndryshonte, apo të modifikonte platformën programore, për të korrigjuar sado pak rezultatin në elektorat, ndërsa energjitë tona harxhohen duke anatemuar agjencitë dhe rezultatet që ato prodhojnë. Në alternativë të kësaj, gjithsecili shpik ndonjë agjenci, rezultat të vetin.
Në këtë fushatë nuk ka postera, flamuj… është një ndryshim pozitiv?
Është shumë pak për ta quajtur si një ndryshim të madh pozitiv, zakonisht këto ndryshime pozitive nuk para i përmend se më duket se ulet steka, kjo është minimalja. Posterat në çdo cep të qyteteve kanë qenë gjithmonë një ekses, komunikim politik me detyrim-përcaktim; më në fund doli dikush që e kuptoi.
AFRIM KRASNIQI
Z. Krasniqi, si ju është dukur fushata e këtyre ditëve…?
Po, është fushatë ndryshe nga herët e tjera. Partitë, zgjedhësit, problemet, sistemi janë të njëjta, por ka një ndryshim thelbësor: gjithnjë partitë e mëdha kanë qenë burim konflikti, këtë herë dy partitë politike kryesore janë në marrëveshje me njëra-tjetrën dhe tri partitë konkurruese janë së bashku në një qeveri. De facto nuk kemi opozitë. Ndaj edhe palët, nuk patën kohë të ndryshonin strategjitë, listat e kandidatëve dhe as të ndërtonin një identitet të ri elektoral.
Mënyra se si komunikojnë liderët me publikun, ju duket më shumë teatër apo strategji?
Nuk është teatër, është strategji. Ka një shprehje të famshme romake që vlen edhe në këtë rast, – jepu qytetarëve ushqim dhe argëtim dhe ata do të kënaqen me kaq. Kështu po bëjnë edhe partitë, – po prodhojnë minimumin e standardeve të jetesës dhe spektakël, – më shumë investohet për show mediatik dhe publik sesa për përmbajtjen, problemet dhe sfidat e shumta që ka vendi. Për shembull, askush nuk flet as për hashashin, për pastrimin e parave në fushatë elektorale dhe as për faktin se perspektiva integruese e Shqipërisë është shumë larg pritshmërive që ka publiku. Partitë premtojnë vende pune në shifra që kanë sens për vende me 10 milion banorë, por për një vend si Shqipëria ato janë ireale dhe pa asnjë bazë serioze.
Pse nuk po diskutohet për programe në këtë fushatë?
Sepse programi kërkon përgjegjësi dhe krijon një kontratë besimi me qytetarët. Duke mos pasur program, të gjitha premtimet interpretohen dhe ndryshohen gjatë rrugës, ndaj askush nuk mban përgjegjësi. Ja psh, PS premtoi 300 mijë vende pune dhe ajo vetë pranon se gaboi kur premtoi dhe natyrisht nuk e mbajti premtimin as në 30% të tij. Cili mban përgjegjësi? Asnjë. Zgjidhja? Hajde të premtojmë gjëra sureale, pa shifra dhe detaje, në mënyrë që pas dy ose katër vitesh askush të mos ketë një bazë referimi për të kërkuar llogari. E dyta, partitë nuk kanë ekspertizë serioze brenda tyre, pjesa më e madhe e ekspertëve janë përjashtuar ose mënjanuar nga vendimmarrja. Modelet e reja të karrierës lidhen me individë që nuk kanë formim ekonomik dhe juridik, por që janë besnikë të shefave të partive.
Dyshoni se nuk kanë program fare?
Besoj se kanë. Psh, PD ka bërë një program dhe jam në dijeni se është konsultuar pjesa ekonomike nga ekspertët gjermanë, LSI ka bërë publik një program, PS duke qenë në qeveri nuk e ndjen të nevojshme të ketë program sepse axhenda e qeverisë mbetet programi i saj, partitë e tjera zakonisht nuk kanë programe, por kanë teza që promovojnë.
Z. Krasniqi, ju keni bërë edhe kërkime në emrat e kandidatëve për deputetë. Mund të na rrëfeni zbulimet më interesante tuajat dhe që ju kanë habitur?
Ka katër fenomene në këto lista: e para, ka prurje të reja në moshë dhe në CV, kryesisht individë pa përvojë politike dhe pa ndonjë projekt politik në aktivitetin e tyre. E dyta, ka dominuar familjariteti. Të paktën gjashtë parti politike kanë 20-30% të listës me individë nga 3-4 familje mbështetëse, kryesisht familje të shefave të partisë dhe fisit mbështetës të tyre. E treta, ka prurje masive nga biznesi. Është e habitshme sesi njerëzit e biznesit kanë interes kaq të madh për të hyrë në politikë, ndërkohë që ata që janë brenda saj, nuk janë aktivë, nuk kanë ndonjë bilanc politik, nuk e kanë politikën si profesion. E fundit, por me rëndësi, ka pasur një kompromis të heshtur kundër rritjes së kuotave të përfaqësimit gjinor. Partitë e madhe, me përjashtim të lehtë, në 70-80 % të rasteve kanë vendosur burra në listën proporcionale me emra fitues.
Pse, sipas jush janë vendosur emra familjarë në listë?
Ka dy motive: i pari, partitë e vogla janë kryesisht familjare dhe të personalizuara, pronë reale e kryetarëve dhe pa struktura efektive. Ndaj edhe kryetarët e kanë vështirë të gjejnë kandidatë qoftë edhe formalë dhe duan të kenë 100 për qind kontrollin mbi partinë edhe pas zgjedhjeve. E dyta, partitë e vogla i detyron ligji të krijojnë informalitet, pasi i detyron të kandidojnë në çdo zonë, edhe ku nuk kanë degë dhe as synim të fitojnë ndonjë mandat. Për shembull është absurde që një parti me bazë Shkodrën apo Lezhën të detyrohet të kandidojë me listë edhe në Konispol, apo një parti e minoritetit grek të konkurrojë me listë edhe në Pukë apo Kukës.
A do të ndryshojë kjo një ditë. Kur mund të shpresojmë për kandidatë të denjë?
Është proces kulturimi. Ditën kur partitë t’i vendosin kandidatët përmes sistemit të votimit konkurrues të brendshëm, pra përmes meritës dhe garës, atë ditë do të mund të flasim për një shoqëri politikisht të kulturuar dhe për parti reale politike. Edhe tek laburistët britanikë ka ndodhur që dy vëllezër ishin në garë për kryetar, por gara ishte reale dhe ata mbronin pikëpamje të ndryshme, madje përfaqësonin fraksione të ndryshme. Kurse tek ne kemi emra anonimë brenda familjes që janë aty vetëm për shkak të përkatësisë familjare dhe nuk kanë ndonjë ide mbi politikën.
Është folur shumë edhe për veshjen, sidomos për atë të kryeministrit Edi Rama. Mënyra e të veshurit flet në vetvete?
Është zgjedhje. Kur nuk ke ide, merru me pamjen. Dhe kryeministri i jep ushqim medias e publikut për t’i ftuar ata të merren me pamjen e tij, jo me thelbin e asaj që duhet të ishte për kryeministrin: llogaria për katër vite, bilanci i premtimeve, sukseseve e dështimeve si dhe kërkesa për një program real politik për të ardhmen. Nga ana tjetër ka një paradoks, – kryeministri thotë se ka bërë shtet e do bëjë shtet dhe vetë ai nuk tregon respektin minimal për etikën dhe sensin e përgjegjësisë së shtetit. A ka ndikim në vota? Jo. Ka fituar zgjedhjet në situatë “veshjeje” shumë më ekstreme, por në aspektin e formimit demokratik, këto zgjedhje, përfshirë këto sjellje, janë një shans i humbur për Shqipërinë.
Sa të besueshme dhe rëndësishme janë sondazhet që janë bërë këto ditë?
Kur nuk ka sondazhe problem është të kemi. Kur i kemi i kontestojmë. Në fakt ne kemi kompani, kryesisht italiane, që kanë vepruar në Shqipëri gjatë 3 ose 5 zgjedhjeve të fundit dhe në 80 për qind të rasteve kanë arritur të parashikojnë trendin e votës. Më shumë se vota dhe numri i mandateve sondazhet janë një mjet demokratik që krijon kulturë gjykimi për qytetarët, ndihmon partitë të përmirësojnë strategjitë e tyre elektorale, korrigjon fushatën dhe ndikon në stabilitetin e zgjedhjeve. Ato janë pamje filmike e shoqërisë në një moment të caktuar, pamje që ndryshon me afrimin e zgjedhjeve. Ndaj ato nuk përcaktojnë fitues, por pasqyrojnë në tërësi realitetin. Vetë fakti se të gjitha partitë janë kundër sondazheve serioze që po bëhen, tregon se të gjitha duan të kenë sondazhin “e tyre”, dhe kjo tregon diferencën e madhe midis konceptit arkaik të partive dhe konceptit demokratik që ato promovojnë në ligjërimin politik.
Në këtë fushatë na kanë munguar posterat elektoralë….
Një nga zhvillimet pozitive pas marrëveshjes së 17 majit është konsensusi i kthyer në ligj për kufizimin e reklamave elektorale në rrugë dhe mjedise publike. Me stafin e ISP dhe mbështetje nga Këshilli i Evropës ne kemi monitoruar gjendjen e reklamave në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnje, etj dhe shohim me kënaqësi se rastet e shkeljes së ligjit janë minimale. Ky është një zhvillim pozitiv. Kujtimi skandaloz nga fushata lokale 2015 me pankarta e flamuj në çdo rrugë, është lënë pas dhe uroj që ky trend të vazhdojë. Nga ana tjerë shohim se partitë po i harxhojnë milionat e tyre të padeklaruara me reklama në media, sidomos në programet e internetit dhe shërbimet e google.al brenda territorit shqiptar. Janë pagesa që nuk deklarohen, por në çdo faqe që klikon në internet të shfaqen reklamat e një ose dy partive. Ky duhet të jetë objekt hetimi nga KQZ dhe organet e tjera të monitorimit financiar të zgjedhjeve.
Çfarë ndodh në vendet e tjera?
Shqipëria humbi shansin të ketë debat televiziv midis kandidatëve për kryeministër. Ky është një lajm i keq, dhe në fakt është një prej dhjetëra formave e gjërave që na ndajnë nga përvoja pozitive e vendeve perëndimore.
Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha në fushatë