Një tentativë rrëmbimi raportohet të jetë shënuar së fundmi në fshatin Bishqem të Elbasanit. Pre e kësaj tentative ka rënë shtetasi P. S. 60 vjeç, i cili po lëvizte nga një lokal për në banesën e tij kur persona të paidentifikuar u përpoqën ta rrëmbenin.
Duke u hequr si policë në momentin e ndalimit, dyshohet se ata tentuan ta marrin me forcë për ta futur brenda automjetit. Por kur shtetasi P. S. kërkoi ndihmën e fqinjëve, personat e paidentifikuar ende, raportohet të jenë larguar me shpejtësi.
Detaje të policisë:
Në datë 21.06.2017 rreth orës 22:30, në fshatin Bishqem, Njësia Administrative Pajovë, persona të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me një automjet tip “Benz”, kanë ndaluar një automjet që drejtohej nga shtetasi P.S, 60 vjeç,banues në fshatin Bishqem, i cili po lëvizte nga një lokal për në banesën e tij.
Në momentin e ndalimit këta shtetas janë prezantuar si punonjës policie dhe dyshohet se kanë tentuar të merrnin me forcë në automjetin e tyre shtetasin P.S. Shtetasi P.S., ka kërkuar ndihmë ku menjëherë kanë dalë fqinjët e tij. Personat që tentuan ta merrnin me forcë janë larguar me shpejtësi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin janë duke verifikuar, sqaruar rastin dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë mbetur në tentativë”.
(XH.A/SHUPLAKA)